Mbrëmjen e nesërme do të luhet “El Klasiko” numër 3 për këtë sezon. Barcelona dhe Reali i Madridit do të përballen në finale të Kupës së Mbretit. Situata nuk ka qenë aspak e qetë në prag të kësaj sfide. Lotët e arbitrit të ndeshjes në konferencë për shtyp për presion të vazhdueshëm nga madrilenët kanë sjellë reagim të ashpër prej këtyre të fundit. I pyetur për deklaratën e gjyqtarit të takimit, Hansi Fliku është shprehur se i gjithë komuniteti i futbollit duhet të tregojë më tepër kujdes për mënyrën se si sillen ndaj arbitrave.
“Nuk e di se çfarë të them. Është një sport, një lojë. Duhet të tregojmë kujdes ndaj arbitrave. Nuk mund të tregojmë mungesë respekti ndaj tyre. Kjo vlen për të gjithë klubet, trajnerët dhe lojtarët. Dua që ekipi im të ketë respekt për kundërshtarin. Janë 90 minuta. Ndoshta edhe më shumë. Duam të japim gjithçka për të fituar trofeun”, ka deklaruar ndër të tjera Hansi Fliku./Sport Ekspres/