Luajti kundër ekipit të ish-trajnerit të Shqipërisë, deklarata perlë e Gatusos: Të luash kundër tij është njësoj si të shkosh te dentisti

Hajduku i Splitit i drejtuar nga ana e Genaro Gatusos u ndal në një barazim në javën e fundit të kampionatit kroat kundër Istrës së Paolo Tramezanit. Italiani është shumë i njohur edhe për shqiptarët pasi ishte ndihmës trajneri i De Biazit.

Madje sipas asaj që shumë futbollistë të asaj kohe pranojnë pas kamerave apo edhe vetë tifozët arrijnë të kuptojnë, Tramezani kishte një rol më të madh suksesi në historinë e Shqipërisë sesa vet De Biazi.

Koha i dha të drejtë këtij mendimi pasi pa Tramezanin në krahë, De Biazi nisi me rezultatet negative te Kombëtarja. Dukej si një ndarje ku De Biazi merrej vetëm me menaxhimin e grupit, ndërsa Tramezani kujdesej për gjithë pjesën tjetër.

Ndërkohë Gatusso ka dhënë një deklaratë të veçantë sa i përket mënyrës sesi drejton Paolo Tramezani. Para ndeshjes që Hajduku do të ketë kundër Osijekut të trajnerit kroat Kopitelli, Gattuso tha:

“Nuk ka ndonjë diferencë mes trajnerëve kroat dhe atyre italianë. Kopitelli ka shumë cilësi si trajner. Ishte shumë e vështirë gjithashtu të përballeshe me Tramezanin. Unë i kisha thënë ekipit tim para asaj ndeshje që të luash kundër një ekipi të drejtuar nga Tramezani është njësoj si të shkosh te dentisti, e njëjta gjë vlen edhe këtë herë”, tha Gatuso. /Sport Ekspres/