Lumë kritikash për Hysajn, Strakosha: Mos hidhni baltë pa ditur sakrificën e tij, si mund të ndihen fëmijët e tij kur e quajnë tradhëtar

Elseid Hysaj ka qenë në qendër të kritikave pas golit të dytë të pësuar ndaj Italisë. Ulja e kokës në momentin e goditjes së topit nga Barela ka shkaktuar një lumë ofendimesh në rrjetet sociale. Foto Strakosha e cilëson si të papranueshme një sjellje të tillë të opinionit sportiv. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me “TV Klan”-in, ish-portieri i Kombëtares ka kërkuar të mos hidhet baltë mbi lojtarët që kanë punuar me sakrificë për të veshur fanellën kuqezi.

“Duke nisur që nga trajneri, stafi, duke vazhduar te specialistët, gazetarët dhe sidomos gjithë publike, kanë të drejtë të kritikojnë mënyrën e të luajturit dhe aftësitë teknike të çdokujt. Ajo që është e ndaluar, asnjëri nuk ka të drejtë, pa e njohur karakterin e dikujt, që të hidhet baltë mbi përpjekjet dhe emocionet që kanë për të përfaqësuar një Shqipëri të tërë.

Ai djalë, ose kushdo, sepse nuk po flas për Elseidin, ka fëmijë, ka prindër. Nëse bëhet gjithë kjo luftë, duke akuzuar karakterin e tij si njeri, imagjinoni se çfarë gjendje shpirtërore kanë fëmijet e tij dhe familja e tij. E akuzuan për tradhëtar. Këto janë gjëra të cilat janë të papranueshme në futboll. Pak nga ne e dinë se si kanë arritur në atë gjendje që të jenë pjesë e ekipit kombëtar. Me sa sakrificë e kanë fituar, me sa djersë, me sa mund”, ka thënë Foto Strakosha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/