Le të marrim makinën dhe të shkojmë në Kosovë! Kështu e ka zgjidhur gjithmonë Qeveria Shqiptare problemin e sportit, veçanërisht futbollit, për të përfituar vëmendjen e madhe që jep një ndeshje dhe nga ana tjetër, pa hedhur asnjë para në shkëmbim, përveç naftës së rrugës, nëse mund të quhet edhe kjo kosto e tyre.
Ka ndodhur shpesh në të kaluarën që kur Kombëtarja e Shqipërisë merrte dy-tre humbje radhazi dhe Përfaqësuesja e Kosovës ishte në super formë, politikanët shqiptarë merrnin makinën dhe ia mbathnin për në Kosovë. Sigurisht, jo për ndonjë përjetim të rrallë, por për shkak të vëmendjes momentale dhe interesit që zhvendosej në Kosovë.
Në pak fjalë kjo është mëndësia dhe mënyra sesi Qeveria Shqiptare i është përqasur sportit dhe futbollit në vendin tonë, kërkon rezultate sa për të marrë edhe ajo medaljet, por nuk ndërrmer asnjë masë për të shkuar në pikën më të lartë.
Askush nuk e harron faktin se në vitin 2020, Liga Profesioniste e Futbollit kërkoi me ngulm reagimin e Qeverisë dhe u bojkotua kampionati shqiptar vetëm për një qëllim, Ligji i Sponsorizimit, mënyra e vetme sesi ekipet tona të futbollit mund të mbijetonin.
Në atë kohë u vendos nga Qeveria si negociator ish-deputeti Fidel Ylli. Problemi vazhdon njësoj, i pazgjidhur, madje në gjendje shumë më të rënduar, ndërsa ish-deputeti Fidel Ylli i cili tanimë është presidenti i Komitetit Olimpik, tani jo vetëm që nuk e çon ndërmend këtë Ligj të Sponsorizimit, por premton një Fshat Olimpik dhe një stadium me 41.000 vënde. E kot t’i futesh kësaj teme të dytë për sa kohë nuk është zgjidhur A-ja për sportin në Shqipëri.
Nëse i hedh një sy renditjes së Superiores, asaj aktuales, në tre vendet e fundit ndodhen Laçi, Tirana dhe Skënderbeu. Tre emra të cilat i kanë dhënë tonusin futbollit shqiptar në vitet e fundit dhe gjithmonë kanë qenë mes më të mirave. Por nëse një rast mund të jetë keqmenaxhim, kjo nuk mund të jetë aq rastësi sa të ndodh në të gjitha rastet.
Presidentët e ekipeve të Superiores janë duke paguar para nga xhepi, ndërsa futbolli jonë është kthyer si në kohën e viteve të largëta, atëherë kur sportin e mbante gjallë vetëm pasioni, në Shqipëri futbolli nuk është ende biznes, nuk ke asnjë përfitim prej saj ose të paktën, nuk mund të mbulosh dot as shpenzimet e hedhura.
E parë në këtë prizëm, është kaq e lehtë të kritikosh dhe gjykosh krizën e madhe financiare, rrogat e papaguara të lojtarëve, pra gjithçka që lidhet me punën e një presidenti klubi, por shumë e vështirë të kuptosh se e gjithë përgjegjësia fshihet tjetërkund. Madje e keqja më e madhe qëndron se e gjitha kjo situatë mund të zgjidhet vetëm me një kërcitje të vogël gishti, brenda sekondash, por për çështje dëshire, qëndrojmë në vend numëro, në mos me hapa mbrapa.
Tirana është e zhytur në krizë tani, më parë Flamurtari, ndoshta më vonë Partizani dhe ku e dimë sesa emra të cilat kanë qenë gjithmonë peshë e rëndë për futbollin tonë. Por për të shmangur të gjitha teknikalitetet e pakuptueshme, po iu sjellim një shembull fare të qartë se ku qëndron ndryshimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Pika kryesore, Qeveria e Kosovës ka zbatuar prej kohësh një ligj që thotë: “Sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja 30% nga tatimi në fitim sipas këtij ligji”. Vetëm nga ky ligj, Prishtina ka përfituar brenda 2024 diku rreth 1.2 milionë euro, Ballkani rreth 850 mijë euro, Gjilani rreth 500 mijë euiro. Pra shifra shumë të mëdha që ekipeve të Superiores u mjaftojnë për të mbyllur një sezon të plot. Por për shkak të mungesës së dëshirës në Shqipëri, duhet të vazhdojnë me shpresën se mund të kapin një vend në Europë dhe atje të bëhet një mrekulli, për të mbuluar sadopak gropën e madhe të hapur në vend. Deri atëherë, makinën gati dhe nisemi drejt Kosovës. /Sport Ekspres/