Mario Mitaj është më shqiptar i Kosovës se të tjerët, ja kush shpërthen në fushë ndaj Serbisë 

Shqipëria do të përballet në datën 7 qershor kundër Serbisë. Vëmendja është e madhe për të parë sesi do të luajë Kombëtarja jonë përballë kundërshtarëve tanë. Është një ndeshje me ngarkesë të madhe emocionale, por njëkohësisht është edhe një ndeshje e cila do të përcaktojë qartë ekipin që do të shkojë më larg në këtë grup, vendin e dytë të këtij grupi që do të ketë mundësinë deri në fund për të shkuar në Botëror. 

Për këtë arsye, fitorja është e detyrueshme, është e vetmja mënyrë për të arritur në vendin e dytë. Gjithashtu përpara këtij takimi ka pasur një nivel të lartë sigurie nga ana e policisë, për të organizuar sa më mirë takimin dhe për të evituar skenaret nga më të ndryshme. Por nëse i futemi fushës së blertë, cilët janë lojtarët e Shqipërisë që kanë karakterin shpërthyes dhe janë më emocional, çfarë duelesh të ashpra mund të presim në fushë? 

Gjithmonë ekziston ideja që kundër Serbisë, përjetimi është më i madh te lojtarë shqiptarë të Kosvoës. Por sipas nesh, përjetimin më të madh në fushë dhe koha do ta tregojë, do ta ketë Mario Mitaj. Atdhedashura dhe patriotizimi i tij, bashkuar me nervat shpeshherë të papërmbajtshme, e bëjnë Mario Mitajn si lojtarin e parë që pritet të jetë më shpërthyes sa herë që lojtarët serbë të provokojnë futbollistët tanë.  

Në një farë kuptimi, Mario Mitaj është më shqiptar i Kosovës se të tjerët. Një tjetër karakter shpërthyes është edhe Mirlind Daku, por duke ditur ngarkesën e tij të madhe emocionale dhe faktin se provokohet lehtë nga kundërshtarët, është e sigurt se ky sulmues nuk do e nis si titullar, ndërsa në diskutim janë edhe minutat për të.  

Ylber Ramadani është një tjetër lojtar që ka karakter të fortë dhe do të djersijë shumë për ndeshjen me Serbinë, një njeri i ftohtë, por kundër Serbisë, do të jetë me kokën e nxehtë, pa harruar edhe Ardian Ismajlin, një karakter që do të përplaset me futbollistët kundërshtarë. Qazim Laçi dhe Jasir Asani mbyllin këtë listë të lojtarëve të cilët do të jenë aty për të krijuar bazën e vjetër të Shqipërisë së Beogradit, që do t’i përgjigjen Serbisë në të gjitha mënyrat në fushën e blertë, pavarësisht fizikut apo shtatlartësisë së tyre. /Sport Ekspres/