Marko Pjaca mbërriti si një legjendë te Dinamo Zagrebi, trajneri i ndryshon krahun që të mos preki Arbër Hoxhën

Dinamo Zagrebi bëri një transferim të madh duke rikthyer në shtëpi Marko Pjacën. Ky i fundit është folur për shumë vite si një prej futbollistëve më të mirë që ka nxjerrë ekipi kroat dhe e pati kulmin e tij të karrierës te Juventusi, por nuk e mbajti dot nivelin e lartë.

Një rikthim në shtëpi që i rrezikonte vendin Arbër Hoxhën, pasi shqiptari luan në të njëjtin krahë me Pjacën. Gjesti i futbollistit të Kombëtares ishte për t’u duartrokitur teksa e lëshoi numrin e tij për konkurrentin Pjaca.

Por sipas mediave kroate, trajneri i Dinamo Zagreb ka folur me të dy lojtarët në mënyrë që t’i hedh në fushë dhe të mos nxjerrë jashtë asnjë prej tyre. Në fillim trajneri dërgoi Hoxhën në krahun e djathtë të sulmit, por futbollisti shqiptar nuk u shfaq në nivelin e duhur në atë krahë.

Më pas trajneri ka rikthyer Hoxhën në krahun e majtë dhe ka biseduar me Pjacën, për ta dërguar atë në krahun e djathtë. Ky i fundit i ka thënë trajnerit se për të nuk kishte asnjë problem pasi e ka nisur karrierën duke luajtur në krahun e djathtë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/