“Martin Canin e ka marrë Kombëtarja, ka bërë gol”! Babai tregon historinë që i tha vëllait të vogël

Ishte një djalosh 14-vjeçar që kishte një ëndërr të madhe, të bëhej futbollist. Stërvitej dhe shikonte çdo ndeshje në fundjavë, me dëshirën e madhe që kur të rritej, të ishte ai një prej atyre protagonistëve që luanin në televizor, që të flitej për të. Ëndrra e Martinit të vogël ishte që një ditë të bukur, të luante me Kombëtaren dhe e gjithë Shqipëria të fliste për të.

Kjo ndodhi, por nëse dikush do t’i tregonte ditë më para sesi do të ndodhte, nuk do të besohej nga askush. Martini u shndërrua në një ëngjëll të vogël përpara kohe, Zoti kishte shkruajtur një tjetër fat për të, e donte shumë më parë afër vetes, nuk priste më gjatë. Në Air Albania, yjet që Martini shikonte shpesh në televizor, Zinchenko, Mudryk, por edhe idhujt e mëdhenj të tij, futbollistët e Shqipërisë, po mbanin një minutë heshtje për të.

Fotografia e Martinit u vendos diku në një cep të stadiumit në Air Albania dhe për një moment, nuk pipëtinte as miza, Më pas një sërë duartrokitjesh dhe disa mes lotëve, nisën që të kujtonin figurën e Martin Canit. Nuk ishte një figurë legjendare që kishte arritur në një moshë të thyer dhe cikli i jetës bëri punën e saj, fundi kishte trokitur.

Këtë herë fundi trokiti përpara kohe, ëndrra u mbyll në moshën 14-vjeçare. Si një film me fund horror, të trishtë dhe të pabesueshëm. Me siguri që Martini kur e ka parë këtë skenë në Air Albania nga lart, është mbushur dhe nga ana tjetër, sërish ka fërkuar sytë.

Nuk e ka besuar sesi historia rrodhi kështu, sesi heronjtë e tij tani po mbanin një minutë heshtje për të dhe Martinit nuk i lejohet që të zbres për një moment nga qielli, për t’i përqafuar të paktën njëherë, pa kërkuar më shumë, që të luajë me ta, të jap një pasim me ta, të tund njëherë rrjetën me fanellën e Shqipërisë.

Akoma më emocionuese ishte deklarata e dhënë nga babai i Martin Canit, i ftuar në Opinion. Teksa gazetarja e ka pyetur nëse fëmija tjetër i familjes e ka mësuar lajmin për ndarjen nga jeta të Martinit, babai u shpreh: “Jo, nuk e di ende. I kemi thënë se Martinin e ka marrë Kombëtarja dhe ka shënuar gol me fanellën e Kombëtares, prandaj po vijnë kaq shumë njerëz që të na takojnë, për të na falënderuar”. Nuk ishte kjo mënyra sesi duhej të bëhej debutimi i Martin Canit në Air Albania, por në mbrëmjen e errët të Kombëtares në ndeshjen kundër Ukrainës, momenti më emocionues për të gjithë tifozët e pranishëm ishte pikërisht ai një minutësh i Martin Canit. Ishte si një mbrëmje JO për Shqipërinë, ku edhe fati po bënte punën e tij, pikërisht që askush në stadium të mos harronte një minutëshin e heshtjes, ishte mbrëmja e Martin Canit, këtë herë luajti vetëm ai në Air Albania, nga atje lart. /Sport Ekspres/