Mbapeja shënon për herë të parë në karrierë nga goditja e dënimit, francezi arrin statistikat e Realit

Kilian Mbapeja i ka dhënë fitoren Realit të Madridit kundër Leganesit. Në minutën e 76 francezi shënoi golin e dytë personal dhe i përmbysi shifrat e takimit në ato përfundimtare, 3-2. Goli i dytë ishte i veçantë për Kilian Mbapenë. Lojtari i Realit të Madridit arriti që për herë të parë në karrierën e tij profesioniste të shënonte nga goditja e dënimit. Një tjetër arsye për të festuar përbën fakti se 26-vjeçari ka arritur statistikat e Kristiano Ronaldos.

Tashmë Mbapeja numëron 33 gola të shënuar me madrilenët në sezonin e tij debutues. Po të njëjtin numër golash arriti që të shënonte edhe Ronaldo që sezonin e tij të parë te Reali i Madridit. Megjithatë, francezi pritet ta tejkalojë këtë shifër, duke qenë se kanë mbetur edhe 2 muaj që nga përfundimi i kampionatit./Sport Ekspres/