“Elite Youth Development Academy” ka mbyllur me sukses edicionin e parë të organizuar nga FSHF. 37 fëmijë të talentuar të datëlindjeve 2010 dhe 2011 u trajnuan nga specialistët e ekipeve kombëtare dhe Drejtorisë Teknike, teksa FSHF u kujdes edhe për akomodimin dhe shkollën ku ata studiuan.
Gjatë gjithë sezonit, u organizuan edhe aktivitete të veçanta me të ftuar specialë nga FSHF për të ndarë eksperiencën dhe për të dhënë këshilla të vlefshme për talentët e vegjël kuqezi.
Pas mbylljes së sezonit të parë, Iris Selimi, përgatitës atletik i Kombëtares, në një prononcim për fshf.org ka folur për testimet e fundit të lojtarëve të akademisë, duke theksuar se rezultatet kanë qenë shumë pozitive.
“Sapo kemi përfunduar ciklin e fundit të testimeve për “Elite Youth Academy”, për grupmoshat 2010–2011. Rezultatet kanë qenë shumë pozitive, si në aspektin individual, ashtu edhe kolektiv, ku janë parë përmirësime në cilësitë fizike të këtyre lojtarëve, për të përmirësuar të ardhmen e tyre si futbollistë profesionistë.
Ky proces na ka treguar një ecuri të mirë dhe një rezultat pozitiv për të ardhmen tonë dhe për futbollin shqiptar. Në këtë proces synojmë që vitin e ardhshëm të punojmë në mënyrë akoma më profesionale dhe për të rritur cilësitë akoma më lart të këtyre futbollistëve.
Falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë program, si Federata Shqiptare e Futbollit, ashtu edhe stafin teknik, si dhe trajnerët. Falënderojmë lojtarët dhe familjarët e tyre”, – tha Iris Selimi.