Java e 28 e “Abissnet Superiores” ka sjellë befasi të mëdha mbrëmjen e sotme. Pas shumë viteve në krye të renditjes, Egnatia rrezikon për herë të parë kryesimin e tabelës. Skënderbeu ka mposhtur rrogozhinasit me rezultatin 2-0. Ndeshja u vendos nga dy golat e shënuar nga Frenklini, përkatësisht në minutat 20 dhe 40. Tashmë diferenca mes Egnatias dhe Vllaznisë është vetëm 2 pikë, por shkodranët kanë një ndeshje më tepër në dispozicion për të zhvilluar.
Ndërkaq, fatin e rrogozhinasve e patën edhe kampionët në fuqi të Superiores. Partizani u largua kokëulur nga “Niko Dovana”. Teuta mposhti të kuqtë me rezultatin minimal 1-0. Ishte Peposhi ai që i dha fitoren bregdetarëve me golin e tij të shënuar në minutën e 67. Pas përfundimit të dy ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë përshtypjet e tyre të parë për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Jam shumë i lumtur. Jam shumë i kënaqur. Çunat i meritojnë të gjitha. Sot ishte një ndeshje shumë direkte. Ishim të zgjuar. E dinim si ta menaxhonim situatën dhe sit ë mbronim rezultatin. Tre pikët ishin shumë të rëndësishme për ne. Pjesa e parë ishte shumë e mirë për ne. Pas dy golave menduam si do të rrimë pak mbrapa dhe të luajmë me kundërsulm. Në pjesën e dytë pati edhe një shtyllë për Egnatian. Po të ishte shënuar gol, nuk dihet si do kishte shkuar loja. Por sot treguam që ishim një skuadër shumë në ekuilibër. Treguam shumë dëshirë për të fituar çdo ndeshje. Kemi skuadra si Vllaznia, me të cilën kemi marrë 0 pikë. Me Egnatian ëshë e kundërta, i kemi të plota pikët. Do lu.ftojmë dhe do provojmë të rrimë në vendin e katërt. Por Tirana është shumë afër, Dinamo është shumë afër. Megjithatë kemi besim të madh dhe do luftojmë”.
Shehi (Partizani): “Tani është e vërtetë që humbim ndeshjen, si para dy javëve, me goditje standarte. Në 4 ndeshje kemi pësuar 2 gola që rezultuan fatal dhe kemi humbur ndeshjen. Kundërshtari është agresiv, terreni ishte i vështirë. E dinim që kjo ndeshje do të vendosej me episode. Nëse nuk fiton duelet e ke shumë të vështirë përballë një kundërshtari që luan shumë agresiv. Në disa momente duhet të dilnim nga presioni duke luajtur shpejt. Akoma nuk janë në gjendje as Skuka as Keko. Skuka mori sot minuta. Kërkonim që Rrapaj të ishte në fushë, edhe pse gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë”.
Tetova (Egnatia): “Normalisht që ka mërzitje, pasi marrim dy gola me episode. Në pjesën e dytë patëm reagim. U shfaqëm para portës, por pa mundur të konkretizojmë. Kishim një acarim të pakuptimtë pas disa minutave lojë. Më mirë që ndodhi në këtë moment, sepse kemi pushimin përpara dhe kemi mundësinë të rekuperojmë diçka. Puna e premios nuk besoj. Normalisht që është një shtysë për të gjithë. Për konkurencën, mendoj që të gjithëve i bën mirë kjo pjesë. Ndeshjet fitohen në stërvitje kur ke konkurencën e mirë. Në fundjavë, edhe kur heq një lojtar e vë një tjetër, ndeshja të jetë me doza në rritje. E kam në kokë se kush do të jetë ajo 11-she që do të përfaqësojë. Nuk ka ndërç psikologjik. Ekipi ndeshjet i ka luajtur. Ka shkuar te porta, por rastet nuk i ka konkretizuar”.
Martini (Teuta): “Ishte shumë e rëndësishme, sidomos pas eliminimit në Kupë. Të eliminohesh ashtu si u eliminuam ndaj Tiranës ishte e pafalshme. Jemi munduar ta qetësojmë ekipin. Me Partizanin e e kemi përgatitur mjaft mirë ndeshjen. Minutat e fundit na janë bërë gangrenë. Mezi prisja të bëhej goli i dytë dhe të qetësoheshim. Ne këta jemi. Rëndësi kemi të bëjmë lojëra të mira dhe të shkojmë në fund të kampionatit kështu si jemi. Nuk kemi pse të qahemi më. S’dua të them që dua të mendoj për lart, sepse atëherë kur e kam thënë, sikur më kanë gjuajtur me gur. Kështu që do të shikojmë ndeshje pas ndeshje, hap pas hapi. Unë edhe kur humbja e kam thënë që e tentoj 4-shen, jo më tani pas fitores. Nuk dua t’i vë djemtë në presion. Nuk shoh asgjë ndryshim mes Tetutës sime dhe Partizanit”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/