Gjithmonë e më shumë po afron koha e ekipeve shqiptare që do të performojnë në Europë, ndërsa kjo ishte një prej temave të emisionit në “Max Sport” që transmetohet në “EuroNeës Albania”. Në këtë emision ishte i ftuar edhe trajneri i Korabit, Alfred Deliallisi, i cili u shpreh se Vllaznia ka bërë goditjen më të madhe me Jaxzhi. Në fakt ai erdhi i huazuar te Vllaznia vetëm për ndeshjet e Europës, si një kërkesë e Martinit që e njeh mirë nga puna e bërë te Teuta.
“Unë mendoj se goditjen më të madhe e ka bërë Vllaznia me Jazxhi në qendër të mbrojtjes. Po flas për ndeshjet e Europës, e di që është i huazuar. Ai është ndër pikat më të forta të Vllaznisë dhe me informacionet që kam ka bërë paraqitje shumë të mira me Vllazninë. Për mua është mbrojtësi më i mirë në qarkullim, 23-vjeç. Teuta nuk ka qenë në momente të mira për ta ndihmuar Jazxhiun, më shumë e ka ndihmuar ai Teutën”, tha Deliallisi.
Nga ana tjetër, Artan Pogoni, sheh një sinjal të mirë dhe një shpresë pozitive që ekipet e Superiores mund të shkojnë larg këtë herë në turet e Europës. Të paktën sipas panoramës së parë, skuadrat shqiptare kanë një seriozitet më të madh të treguar para takimeve vendimtare që mbushin arkat e klubit.
“Këtë herë kam vënë re pak më shumë seriozitet. Të paktën kjo është ajo panorama e parë që unë shoh nga ekipet shqiptare. Më bëri përshtypje fakti se kanë bërë shumë ndeshje miqësore dhe kjo më pëlqen, është e mirë, kështu duket. Ka ndeshje miqësore jo vetëm brenda për brenda, pra me njëri-tjetrin, por ka shumë ndeshje miqësore me kundërshtarë ndërkombëtarë dhe emra më të fortë sesa ekipet tona. Kjo tregon se është marrë shumë seriozisht situata”, tha Pogoni. /Sport Ekspres/