Mario Mitaj ka folur gjerë e gjatë për Kampionatin Europian dhe Kombëtaren shqiptare në një intervistë për “Gazzetta.gr”. Mbrojtësi shqiptar ka treguar përshtypjet e tij për kundërshtarët që shorti i vuri përballë. I pyetur për sulmuesin më të mirë të këtij Europiani, 20-vjeçari ka lënë mënjanë emra si Kane, Ronaldo, Morata etj, por ka veçuar Armando Brojën. Sa i përket raportit me Silvinjon, Mitaj ka thënë se trajneri brazilian sheh veten te ai, duke qenë se kanë të njëjtin pozicion në fushën e lojës.
“Shorti? Mendova se është më mirë, sepse janë dy ndeshje të forta dhe ne do të tregojmë se nuk jemi me pushime këtu. Mendoj se për çdo lojtar është më mirë të ketë një paraqitje të mirë me Spanjën sesa me Turqinë apo Sllovakinë, pa dashur të nënvlerësoj asnjë ekip, sepse janë të gjitha skuadra të mira që kanë arritur në një kompeticion europian.
Sulmuesi më i mirë i Europianit? Broja mendoj se është një nga sulmuesit më të mirë që ka pasur kjo EURO 2024, nga ata që janë ende në turne është Mbapeja.
Këshillat e Silvinjos? Mendoj se ai e sheh veten tek unë, ka luajtur edhe në pozicionin që luaj unë. Ai donte të më drejtonte që të bëhesha më i mirë çdo ditë. Ishte i vetmi trajner që më ndihmoi të zhvillohesha rregullisht. Është një pjesë që shumë futbollistë duhet ta përmirësojnë dhe ai më ka ndihmuar shumë”, ka deklaruar Mario Mitaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/