Dinamo ka arritur që të fitojë kundër Skënderbeut në shifrat 0-1. Goli i vetëm i këtij takimi është shënuar nga ana e Lorenzo Vilës. Ky i fundit nuk do të gabonte në minutën e 52, aty ku arriti që të mposht portierin nga 11 metrat. Në një stadium me paraqitje të kënaqshme nga tifozët, Skënderbeu nuk ia doli dot në “finalen e Final Four”.
Themi kështu pasi të dy ekipet ishin thuajse në të njëjtën pozicion, por falë kësaj fitore, Dinamo nën drejtimin e Mehmetit arrin në vendin e katërt dhe parakalon Tiranën. Kështu Skënderbeu ka humbur shumë terren për katër vendet e para në renditje, ndërsa lufta duket se do të bëhet mes Dinamos dhe Tiranës. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Mehmeti (Dinamo): “As e mendoj fare 4-shen. Ishte një fitore karakteri sot dhe kjo më intereson. Është në një moment shumë delikat kampionati. Jemi në fazën e tretë dhe pikët janë shumë jetike. Duke parë që ekipi i Skënderbeut luante me topat në thellësi, u futëm me bllok të mesëm për t’i dhënë më shumë hapësirë territoriale. E vetmja mënyrë ishte që të prisnim pak, sepse vetë kundërshtari luante me topin e gjatë. Besimi te vetja, te lojtarët me njëri-tjetrin, është meritë e veçantë e tyre. Ata janë aktorët që japin gjithçka në fushë. Vjen dita-ditës besimi, por ne duhet të rrimë me këmbë në tokë. Një humbje dhe shkon përsëri atje ku ishte. Të mos mendojmë shumë gjatë për fundin, por të mendojmë për javën që vjen”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Për mendimin tim ne ishim më mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë nuk do e komentoj penalltinë, sepse nuk e di ishte apo jo. Dinamo bëri më shumë faulla, vononte lojën. Patëm rastet, por nuk shënuam. Kështu është futbolli. Në pjesën e dytë nuk kishim mundësinë të luanim futboll, sepse Dinamo vononte shumë lojën. Që nga portieri e deri te lojtarët e tjerë. Dinamo ishte më e qetë, sepse shënoi shumë shpejt nga penalltia dhe pastaj luanin vetëm për kundërsulm”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/