“Më pëlqeu egoja dhe besimi i skuadrës”, Shkëmbi pas fitores në derbi: Kjo ishte një finale e kampionatit

Kryeqyteti është bardheblu. Derbi ka shndërruar Tiranën. Bardheblutë kanë shkëlqyer mbrëmjen e sotme, duke mposhtur me rezultatin 3-0 Partizanin. Bledi Shkëmbi nuk e ka fshehur kënaqësinë e marrë pas kësaj fitoreje. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes për emisionin “Super Gol” në “RTSH Sport” Shkëmbi ka thënë se i ka pëlqyer egoja dhe besimi që lojtarët e tij treguan në këtë derbi.

“Nga brenda nuk e mendoj se e kam përjetuar më shumë se ndeshjet e tjera. Pas golit të parë, mendoja të jepja diçka më shumë nga vetja. Edhe sot bëmë disa gabime, pasi arritëm të shënonim të parët. E kemi punuar këto tre ditë në stërvitje me Ndrecën që të luajë pas sulmuesve kryesorë. Ndryshimi tjetër ishte Përgjoni, i cili luajti pak më lart.

Mendoj që ajo që më pëlqeu më shumë te skuadra ishte egoja dhe besimi. Në shumë ndeshje e kemi humbur besimin kur kemi qenë në avantazh dhe nuk më ka pëlqyer, ndërsa në këtë ndeshje kjo ishte ajo që më pëlqeu.

Ajo që ka Ndreca pozitive është që në asnjë moment nuk kursehet për të bërë atë çfarë unë i kërkoj. Ai ka ardhur në fillim të kampionatit, kishim një pikëpyetje nëse ishte për lojtar titullar. Por me ndeshjet dhe përpjekjet e tij e ka merituar. Unë e kam thënë edhe herën e parë me Mihanën, që nuk ka luajtur vetëm për të shtyrë ato minuta. Vogli ka qenë shumë mirë në stërvitje. E mendova edhe për ta futur që në minutën e parë. Edhe me Mihana është e njëjta gjë. Sot nuk kishim mesfushorë, përveç Smaçit dhe Solerit ishte Vogli. Ndryshimi në këtë javë dhe këtë ndeshje është se futbollistët ishin të përqendruar.

Kjo ishte një ndeshje finale e kampionatit. Nëse do të gabonim, mund ta bënim edhe më të vështirë. Edhe për meritën tonë, kundërshtari pati vështirësi. Lojtarët sot kishin besim të madh. Përgjoni ka bërë ndeshjen më të mirë që kur unë jam këtu. Skuadra ishte në atë mendimin që ka punuar gjithë javën për këtë ndeshje”, ka deklaruar Bledi Shkëmbi./Sport Ekspres/