“Me Serbinë nuk është një ndeshje si të tjerat”, Silvinjo e pranon: Kjo përballje ka një peshë të madhe

Edhe pak ditë na ndajnë nga përballja më e rëndësishme në këtë fusha të kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë do të masin forcat me Serbinë në Leskovac më 11 tetor, në një sfidë që do të vendosë shumë për vendin e dytë në grup. Në një intervistë të dhënë për “TV Klan” Silvinjo është ndalur te ky duel mjaft i rëndësishëm. Trajneri brazilian është i vetëdijshëm për peshën e madhe që mbart kjo ndeshje, por thekson se ka besim te lojtarët e tij.

“Thatë diçka shumë të bukur: Jemi gjallë. Fitorja me Letoninë na dha mundësinë që të vinim këtu në tetor në një ndeshje shumë të rëndësishme. Kualifikueset e Botërorit nuk janë kurrë të lehta. E dini edhe ju tashmë, e dinë të gjithë. Duhet të luftojmë, i dimë shanset tona. Letonia ishte një ndeshje e vështirë, tani jam më i qetë. Është një ndeshje e rëndësishme që vjen në një moment të bukur. Edhe Serbia ka një skuadër të fortë, por ne kemi lojtarë cilësorë që japin 100%. Pres një sfidë shumë të bukur në aspektin e futbollit. Ne do të punojmë për këtë sfidë. Duhet përgatitur mirë, sepse nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat. Kjo është një ndeshje e vërtetë, sepse ka një peshë të madhe për kualifikueset, për ne dhe për ata. Kam besim te lojtarët e mi”, ka thënë Silvinjo./Sport Ekspres/