“Me Shqipërinë e kemi pasur gjithmonë të vështirë”, Levandovski respekton kuqezinjtë: Mjafton të shënojmë më shumë se ata

Polonia është duke kryer përgatitjet për përballjen me Shqipërinë, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e së enjtes, duke nisur nga ora 20:45. Robert Levandovski është paraqitur ditën e sotme në konferencë për shtyp, ku është ndalur te sfida delikate me kuqezinjtë. Sulmuesi i Barcelonës ka shprehur respektin e tij për Shqipërinë, ndërsa ka theksuar se në këtë gjysmëfinale “play off”-i nuk duhet të ketë vend për gabime.

“Shqipëria është gjithmonë një kundërshtar i vështirë, por ne do të luajmë në shtëpi. Shpresoj që ta kontrollojmë lojën, të vendosim ritmin tonë dhe të mos i lënë ata të shkojnë përpara. E respektojmë Shqipërinë. Ndeshjet në transfertë me ta kanë qenë gjithmonë shumë të vështira, por as ato në shtëpi nuk kanë qenë të lehta gjithashtu. Madje, edhe kur rezultati ishte në favorin tonë. Kjo është finalja e parë. Nuk ka vend për gabime. Plani kundër Shqipërisë? Të shënojmë më shumë se ata. Kaq mjafton”, ka deklaruar Robert Levandovski./Sport Ekspres/