Igli Tare ka komentuar paraqitjen e Shqipërisë përballë Italisë në ndeshjen e tyre të parë në EURO2024. Ish-futbollisti shqiptar ka mbetur i zhgënjyer nga loja e kuqezinjve. Në një intervistë për “Suddeutsche Zeitung”, ish-drejtori sportiv i Lacios ka deklaruar se mungesa e përvojës së Shqipërisë shkaktoi atë paraqitje të dobët nga ekipi ynë kombëtar. Tare e mbyll fjalën e tij me një kërkesë për Muçin dhe Mitajn, nga të cilët kërkon që të tregojnë uri dhe dëshirë për të dhënë gjithçka për fanellën.
“Shqipëria nuk luajti mirë pas golit të pjesës së parë, më pas në pjesën e dytë gjërat shkuan pak më mirë. Kjo skuadër shqiptare ka kualitete të mëdha, nuk është rastësi që e mbylli raundin kualifikues e para në renditje. Thjesht nuk ka përvojë në këtë lloj turneu dhe ky ishte problemi më i madh ndaj Italisë. Kanë filluar të presin dhe të mbrohen, por nuk e përballojnë dot. Kjo më zhgënjeu shumë. E ardhmja e Mitajt dhe Muçit? Unë kam vetëm një kërkesë për ata: në fushë duhet të tregojnë uri dhe dëshirë për të dhënë gjithçka për fanellën”, ka thënë Igli Tare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/