“Mëkat që falëm 45 minuta, jeta nuk të fal”, Silvinjo: Ishte një hap pas, duhet të dimë si të shkojmë te objektivi që kemi vendosur

Nuk ka fitues në Riga. Shqipërinë vazhdon ta përndjekë “mallkimi” i barazimeve me Letoninë. Transferta e kuqezinjve ka përfunduar në baraspeshë 1-1. Vendasit befasuan në pjesën e parë me një 11 metërsh të fituar, por Strakosha bëri heroin duke pritur me sukses penalltinë. Rei Manaj shleu gabimin e dy netëve më parë, teksa gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 27, duke krijuar iluzionin e një fitoreje të kuqezinjve.

Por në sekondat e fundit të pjesës së parë, kapiteni i letonezëve, Çernomodrijsi, shtangu Kombëtaren tonë me golin e shënuar nga goditja e këndit. Lojtarët e ekipit tonë kombëtar provuan të shënonin golin e fitores në pjesën e dytë, por pa sukses. Një tjetër barazim për Kombëtaren shqiptare, që venit disi ëndrrën për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët e fushës së blertë kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për mikrofonin e “TV Klan”.

Silvinjo: “Është penalltia e parë që kemi pësuar në këto 2 vite e gjysmë. Kemi gabuar. Strakosha ka bërë një pritje të jashtëzakonshme. Bëmë një gol, por më pas kemi gabuar. Futbolli nuk të fal. Në pjesën e parë kemi gabuar shumë, sidomos në qarkullimin e topit nga ekipi kundërshtar. Jemi përmirësuar më shumë në pjesën e dytë, por nuk mjaftoi. Duhet të futemi në fushë me një qendrim ndryshe, me një përqendrim më të madh, pasi futbolli është 90 minuta. Gabimet më të mëdha kanë qenë në pjesën e parë, kemi shpërdoruar 45 minuta.

Duhet të dimë të shkojmë drejt atij objektivi që kemi vendosur. Objektivi ishte që të fitonim. Kemi merituar diçka më shumë edhe me Serbinë, por kur arbitri thotë “kaq”, atëherë marrim vetëm një pikë dhe kaq. Mëkat që shpërdoruam 45 minuta. 45 minuta janë një kohë shumë e gjatë për të pritur, si në jetë, ashtu edhe në futboll. Edhe nëse je Brazili, apo Italia, nuk fiton dot nëse nuk bën atë që duhet bërë në fushë, pavarësisht nëse je favorit në letër. Sigurisht që ishte një hap pas nga ndeshja me Serbinë, sidomos në 45 minutat e para. Kur kemi vendosur një objektiv nuk mund të presim. Jeta nuk të fal, ashtu edhe futbolli. Qasja ishte e gabuar”.

Strakosha: “Duhet të kishim fituar. Kemi humbur 2 pikë dhe nuk jam i gëzuar. Për të ardhur keq për djemtë, sepse luftuam shumë. Humbëm shumë kohë kot te rasti i penalltisë. Me duket se VAR-i nuk po punonte. Bisedimi me Bozhiqin për penalltinë? E pyta se çfarë mendimi kishte. Më tha mendimin e tij për të qendruar në vend. Me këto ekipe duhet të kemi shumë kujdes, sepse një rast mund të ndodhë dhe ata tërhiqen të gjithë pas”.

Mitaj: “Nuk kam se çfarë të them shumë për këtë ndeshje. Ishte një kundërshtar shumë i fortë. Në pjesën e dytë bëmë shumë raste, por nuk bëmë golin. Kur shohim që nuk e bëjmë dot golin aq lehtë, duhet të shikojmë që të mos pësojmë. Shpresoj që të shënojmë në ndeshjet e tjera. E dinim që ata ishin të rrezikshëm nga goditjet standarte, por ishte thjesht një shpërqendrim”./Sport Ekspres/