“Mëkat që nuk fituam sot ndaj Kroacisë”! Kristjan Asllani flet për rastin e golit që gaboi: Nuk e prisja, e gjeta topin symbyllur

Shqipëria ka barazuar me shifrat 2-2 ndaj Kroacisë në një ndeshje dramatike falë golave të Lacit dhe Gjasulës, më poshtë gjeni intervisat e protagonistëve në “Klan”:

Asllani: “Ndeshje me shumë emocione, gjynah që nuk morëm tre pikë. Pësuam disa gola që mund të evitoheshin dhe në fund ne kishim rastin për 3-2. Mund të kishim bërë më shumë, por kjo është rruga. Rasti im? Mendova se Modric do ndërhynte aty, e gjeta topin me sy mbyllur”.

Gjasula: “Deshi Zoti që ma dha shansin për të shënuar golin, bëra disa situata jo mirë, ose aspak fare mirë. 60 minutat e para ishin fantastike për ne, ishim ekipi më i mirë në fushë. Më pas loja na iku nga duart dhe nëse do të ishim pak më qetë, do të fitonim 3-2”.

Qazim Laci: “Sot e meritonim të paktën një pikë, luftuam shumë për këtë pikë. Ky është goli më i rëndësishëm në karrierë, me këtë pikë do të kemi më shumë besim për ndeshjen me Spanjën. Pse jo, të tentojmë vendin e dytë ose të tretë”.