Morata pak ditë më parë arriti të fitonte titullin kampion europian me Spanjën dhe ngriti kupën në Berlin duke qenë se ishte kapiten. Pasi e festoi këtë trofe me bashkëlojtarët në Madrid të hënën, ai vendosi të largohet nga Atletico dhe të vazhdojë karrierën në Milano.
Morata kishte një klauzolë blerjeje në kontratën e tij me Atleticon që ishte në fuqi këtë verë dhe kuqezinjtë vendosën ta aktivizonin atë. Klubi italian ishte në kërkim të një sulmuesi të ri pas largimit të Olivier Giroud dhe zgjedhja ra mbi Moratan. Në fund, Milani pagoi 13 milionë euro për spanjollin, dhe nuk iu desh fare të negocionte me Atléticon.
Kuqezinjve iu duhej vetëm drita jeshile nga Morata, të cilën e morën pas përfundimit të Kampionatit Evropian. Milani konfirmoi sot se Morata është sulmuesi i ri i këtij klubi dhe se ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2028 me opsion për vazhdimin e saj dhe për një vit tjetër. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/