Mirlind Daku është rikthyer në një formë fantastike te Rubin Kazan. Sulmuesi shqiptar ka shënuar dhe ka dhënë asist në fitoren 2-0 që arriti ekipi i tij kundër Zenitit. Pas përfundimit të ndeshjes, ishte mesfushori i Rubinit, Darko Jevtic që foli me fjalë të mëdha për Dakun.
“Unë mendoj se Daku është një lojtar që luan për ekipin. Ndoshta duhet të jetë pak më i guximshëm, në disa situata sulmuesit duhet të jenë egoistë. Prandaj kjo ka një efekt të keq në statistikat e tij personale, mund të kishte më shumë gola sesa ka realizuar tani. Daku ka shumë potencial, është i gjatë, i shpejtë dhe ka teknikë të shkëlqyer. Mund të arrijë shumë në karrierën e tij”, tha Jevtic. /Sport Ekspres/