“Mos e ul kokën, sepse jam vetëm”! Uzuni tregon si e kërkoi golin e parë me Austinin, e përzgjedhin në formacionin e javës në MLS

Myrto Uzuni ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Ausitinit. Një gol që solli një kënaqësi të dyfishtë te sulmuesi shqiptar, pasi i dha edhe fitoren skuadrës. Pas ndeshjes, lojtari nga Berati ka treguar edhe fjalët e shkëmbyera me Bukarin gjatë aksionit të golit, duke i kërkuar me ngulm pasimin në zonë.

“Po i thërrisja gjatë gjithë kohës: ‘Më paso topin’! Po i thoja: ‘Mos e ul kokën, sepse jam vetëm’. Ai më dëgjoi, sepse unë e shoh më mirë lojën. Unë shoh gjithçka. Ishte një fitore e madhe. Nuk është e lehtë të fitosh tre ndeshje radhazi. Të gjithë lojtarët bënë një punë të shkëlqyer. I falenderoj të gjithë për mbështetjen”, ka thënë Myrto Uzuni.

Ndërkohë paraqitja e Myrto Uzunit është vënë re edhe nga liga amerikane e futbollit. Lojtari shqiptar është përzgjedhur në stolin e formacionit më të mirë të javës në MLS. Një nisje e mbarë e kampionatit për ish-futbollistin e Granadës, që duket se do të vijojë statistikat e tij pozitive edhe përtej oqeanit./Sport Ekspres/