Shqipëria ka një shans të artë në dorë për të shkuar për herë të parë në histori në Botëror. Pavarësisht formës jo të mirë të kuqezinjëve, një fitore me Serbinë do të na jepte mundësinë për të qenë në vendin e dytë. Një shans i artë në dorë pasi Serbia jo vetëm që është në një formë të keqe sportive, ndoshta më të keqe se Shqipëria, por nga ana tjetër po përballet me një situatë të pazakontë.
Prej kohësh Serbia është pushtuar nga protestat për të larguar Vucic, ndërsa edhe një figurë legjendare e Serbisë si ajo e Djokovic ka dalë kundër Vucic dhe është larguar nga Serbia nga frika e hakmarrjes së numrit një të Serbisë. E gjitha kjo situatë e tensionuar është reflektuar edhe në stadium.
Në ndeshjen Serbi-Angli ka pasur shumë probleme të mëdha në Beograd, përplasje mes vetë serbëve në stadium dhe pritet që FIFA të ketë një dënim të rëndë për ta. Por Aleksander Vucic ka dalë dje në një media në Serbi duke kërkuar që ndeshja me Shqipërinë të luhet me patjetër në Leskovac. Madje Vucic është shprehur se nuk e di sesi ndeshja me Anglinë u luajt në Beograd, duke kritikuar rëndë Federatën e Futbollit të Serbisë.
Stadiumi në Beograd është i pamundur që të kontrollohet lehtë dhe në të ka pasur shumë thirrje kundër Aleksandër Vucic që nuk i kanë pëlqyer aspak. Ai ka kritikuar të gjithë tifozët e Serbisë dhe ka kërkuar që ndeshja me Shqipërinë të luhet me patjetër në Leskovac, duke paralajmëruar edhe një humbje të mundshme nga Shqipëria.
“Pse po fishkëlleni kur Anglia ishte 2-0, pse nuk po e ndihmoni klubin tuaj? Pse nuk po i duartrokisni kur humbën 5-0, thjesht duke u kërkuar të japin gjithçka. Tifozët as nuk erdhën të brohorisnin për Serbinë. Kjo është arsyeja pse pyeta në Federatë që përse nuk u luajt ajo ndeshje në Leskovac, anglezët do të kishin vdekur atje nëse tifozët do të kishin brohoritur për Serbinë me gjithë zemër.
Isha në një ndeshje në Beograd kundër Anglisë në vitin 1987, kur humbëm 4-1. Trajneri ishte Ivica Osim. As atëherë nuk brohorisnim për asgjë tifozët. Beogradi kurrë nuk e kuptoi se çfarë është ekipi kombëtar.
Do të shkoj në Leskovac kundër Shqipërisë nëse mundem, nëse jam në Serbi, as nuk e di se kur është ndeshja. Do të shkoj për të mbështetur ata djem. Edhe nëse humbasin 1-0 ndaj Shqipërisë dhe nëse humbasin 2-0, do t’i mbështes deri në momentin e fundit, derisa të fitojnë 3-2. Ose edhe nëse nuk fitojnë, nuk kemi se çfarë të bëjmë.
Stojkovic duhej t’i motivonte më mirë lojtarët dhe të vendoste taktika më të mira. Por unë nuk mund ta kritikoj dhe sulmoj sepse e di sa shumë i dha futbollit serb dhe Serbisë. Nuk jam unë ai që mund ta kritikoj, si një tifoz i zakonshëm që nuk di asgjë për futbollin. E pyeta sekretarin e Federatës tonë që përse e latë ndeshjen me Anglinë në Leskovac? Federata jonë nuk mundi t’i rezistonte presionit të ambasadës britanike, Anglia e donte ndeshjen me patjetër në Beograd. Zvicra dhe Danimarka vinin dikur në Leskovac, pranuan të vijnë atje, por anglezët nuk donin të vinin. I thashë që ta zgjidhnin vetë, e lanë ndeshjen me Anglinë në Leskovac dhe tani ata thonë se bënë një gabim se duan që të luajnë kundër Shqipërisë në Leskovac. Dhe sigurisht, do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme në Leskovac.
Ndoshta do të humbasim, ndoshta do të fitojmë, por do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme nëse na lejojnë të kemi një tifoz të vetëm në tribuna për shkak të këtyre shkeljeve të rregullave të tifozëve dhe nuk e di çfarë tjetër, ata do të gjejnë diçka për ne. Nëse do të na lejojnë, do të ketë një atmosferë të mrekullueshme në Leskovac. Të paktën njerëzit do të brohorasin për Serbinë. Me gjithë forcën dhe me gjithë zemrën e tyre”, tha Vucic. /Sport Ekspres/