Anis Mehmeti ka qenë një emër që e ka shoqëruar Silvinjon në çdo dalje të tij përpara gazetarëve gjatë ndeshjeve të muajit tetor. Mosgrumbullimi i tij në Kombëtare ka ngjallur interes nga opinion sportiv, që e cilëson atë si një alternativë të denjë për kuqezinjtë. Por Tami Kona ka zbuluar një anë tjetër të historisë. Gazetari i njohur ka deklaruar në studion e emisionit “5 pyetjet nga Babaramo” në “Report TV” e gjatë kohës që ishte në Serbi mësoi se Mehmeti i ka vendosur kushte Silvinjos. Sipas tij, lojtari i Bristolit ka kërkuar që të luajë vetëm në krahun e majtë të sulmit.
“Ne kemi një futbollist tjetër, Mehmetin, që luan në një ligë si Championship-i në Angli. Por nga informacionet që paskam unë, ai na paska vënë ca kushte. “Shiko profesor, unë vij, por luan vetëm në krahun e majtë”. I kam marrë këto informacione tani, kur isha në Serbi. Nuk i dija. Mund të jenë të vërteta, mund të mos jenë të vërteta. Por në ekipin kombëtar nuk mund të vish dhe të vësh kushte”, ka zbuluar Tami Kona./Sport Ekspres/