Muçi me valixhet në duar? Asnjë minutë lojë me trajnerin e ri, sulmuesi shiptar përfundon në stol

Ernest Muçi po përjeton një situatë të çuditshme në Stamboll. Sezonin e shkuar sulmuesi shqiptar ishte padyshim lojtari më i dashur i tifozerisë së Beshiktashit, ku shihej si “diamanti” i klubit, nga i cili do të përfitonin shumë në merkato. Por nga ylli ekipit, Muçi ka kaluar shumë shpejt në stolin e bardhezinjve.

Sot Vanbronkhorsti ka drejtuar Beshiktashin në ndeshjen e dytë zyrtare për këtë sezon. Ai që ka rënë në sy është fakti se në të dyja ndeshjet Ernest Muçi nuk është aktivizuar për asnjë minutë në fushën e lojës. Një vendim i papritur i trajnerit të ri, që ngre shumë pikëpyetje te opinioni sportiv. Në njërin krah qendron hipoteza e largimit të ish-lojtarit të Tiranës. Futbollisti 23-vjeçar mund të jetë me valixhe në duar, teksa prej kohësh ndiqet nga Aston Vila.

Megjithatë transferimi nuk do të ishte një proçes i lehtë për t’u përfunduar, teksa Beshiktashi synon të mbushë arkat me shitjen e kartonit të Muçit, duke qenë se shpenzuan shifrën rekord prej 10 milionë eurosh për ta sjellë në Stamboll. Ndërkohë në krahun tjetër qendron hipoteza më e vështirë për talentin e Kombëtares shqiptare, që mund të jetë jashtë planeve të trajnerit të ri për sezonin që sapo ka nisur. Në ditët në vijim do të mësohet edhe e vërteta për situatën e Ernest Muçit te Beshiktashi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/