“Muçi? Ne na duken sikur kanë ikur shumë kohë, është ende i ri”! Hamdi Salihi tregon anën tjetër: Kaloi shumë shpejt Tiranë-Legia-Beshiktash

Sulmuesi legjendar i Kombëtares, Hamdi Salihi, ka dhënë një intervistë në emisionin Koha Shtesë. Salihi ka folur sa i përket Armando Brojës duke u shprehur se ky sulmues ka potencial të jashtëzakonshëm dhe mund të bëjë diferencën, por gjithmonë duke i vendosur kualitetet e tij në të mirën e grupit. (Intervistën e plot të Hamdi Salihit në Koha Shtesë e gjeni më poshtë)

“Të diskutosh për cilësitë e Brojës është e kot. Është fat i madh që kemi një lojtar shqiptar me karakteristikat e Brojës. Më vjen keq që kaloi dëmtimin më të rëndë për një lojtar, por e menaxhoi mirë me familjen e tij, me miqtë e tij. Tani është rikthyer prapë në nivelet e larta. Por si Broja apo kushdo tjetër, forca e individit është për të ndihmuar grupin, por jo për të bërë gjithçka i vetëm. Tani shpresoj që me Brojën vetëm t’i shtohet forca grupit. Vetëm kështu mundet t’ia arrijmë, pasi edhe nëse kemi kualitete të mëdha dhe nuk kemi grupin, është shumë e vështirë.

Muçi? Është bërë i rëndësishëm edhe te Shqipëria. Ka pasur një rrugëtim jo të lehtë, pavarësisht se ka shkuar te një ekipi i madh, ka shkuar shumë shpejt. Ishte te Tirana, kaloi direkt te Legia, e bëri hapin menjëherë. Pavarësisht se ne na duket sikur kanë ikur shumë vite, Muci është ende i ri. Gjërat duan kohën e tyre, kur kalon nga Tirana pastaj te Legia dhe tani te Beshiktashi, fillon presioni i madh, përgjegjësia më e madhe, je lojtari kryesor për të nxjerrë ekipin. Për mua është bërë kalimi shumë i shpejt dhe për këtë arsye ka dashur pak kohë. Është bërë i rëndësishëm te Shqipëria dhe për një kohë të gjatë do të jetë mes lojtarëve kryesor”, tha Salihi. /Sport Ekspres/