“Mund të humbasësh, por të humbësh me nder”! Mezani i mërzitur pas Skënderbeut: Marrë përgjegjësinë, kjo ishte e papranueshme

Skënderbeu ka marrë një prej fitoreve më të rëndësishme në kohët e fundit në Superiore. Korçarët kanë mundur Bylisin në shifrat 0-3, një fitore e pastër që sjell tre pikët dhe hap llogaritë në vëndet e fundit, në luftën për mbijetesën.

Egjiptiani Nasr realizoi dy golat e parë për Skënderbeun, teksa në minutën e 23 dhe të 32, do t’i jepte qetësinë miqëve me realizimet e tij. Ndërkohë në pjesën e dytë ishte Luquinhas që vulosi gjithçka, teksa me golin e tij në minutën e 80 e dërgoi rezultatin në 0-3. Bylisi vinte në këtë takim pas fitores 2-3 me Partizanin, por nuk arriti dot të dalë me pikë. Ajo që e bën më të bukur këtë fitore të Skënderbeut është fakti se tani janë të gjithë në valle për mbijetesë në renditjen e Superiores. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “RTSH Sport”:

Mezani: “Nuk e kemi nënvlerësuar Skënderbeun dhe as nuk ishim në eufori, përkundrazi. E dinim shumë mirë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe sesa na duheshin pikët sot. Marrë edhe unë përsipër përgjegjësitë e mia. Mund të humbasësh, por të paktën të humbasim me dinjitet. Pas pësimit të golit të parë kishim një ç’thurrje totale, ishim një kohë me vonesë në dalje, një kohë me vonesë në pasim, në tranzicion, në sulm. Është e papranueshme mënyra sesi po i linim këto hapësira, duhet të reagojmë”.

Ernest Gjoka: “Sot e merituam fitoren, merituam çdo gjë dhe morëm atë për të cilën kishim ardhur. Ne e dinim se kush ishte pika e fortë e Bylisit dhe morëm masat, i mbyllim krahun e majtë dhe i bëmë presion në mesfushë që të mos organizonte aksione. Bylisi ka bërë shumë mirë në fushën e saj dhe prandaj ka shumë vlerë. Fakti që ishim në fundin e tabelës nuk po na nxirrte te loja jonë. Ardhjet e reja po japin frytet e duhura. Kjo skuadër ka shumë cilësi, është për keqardhje që të bie Skënderbeu nga Superiorja, por unë kam shumë besim që do të arrijmë objektivin që për Skënderbeun është minimal, mbijetesea”.