Kush do ta fitojë titullin kampion këtë sezon në Serinë A? Kjo është tema e diskutimit që po bëhet në Itali me merkaton e hapur, teksa të gjitha analizat bashkohen në një pikë të vetme, Interi dhe Napoli do të luftojnë deri në fund. Christian Vieri, i ftuar në “Sport Mediaset”, ka mbajtur të njëjtën linjë, por duke guxuar teksa shprehet se Interi ka ekip më të fortë se Napoli.
“Edhe pse Napoli fitoi Scudetton dhe për këtë arsye duhet të jetë favorit, them se sipas mendimit tim Interi ka skuadrën më të fortë. Por ky është mendimi im, mund të gabohem. Sipas mendimit tim, Interi dhe Napoli do të garojnë për Scudetton së bashku me Juventusin. Milani? Ata janë një punë në zhvillim e sipër, dy lojtarë të shkëlqyer janë larguar dhe duhet t’i zëvendësoni. Tregu i transferimeve është i hapur, le të shohim se çfarë mund të bëjnë në fund”, tha Vieri. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/