Sakrifica e Uzunit për Granadën ka përfunduar. Sulmuesi shqiptar ka luajtur me ndihmën e gjilpërave në javët e fundit të kampionatit spanjoll. Arsyeja ishte një dhe e vetme, të sakrifikonte deri në fund për objektivin e Granadës, sigurimin e mbijetesës në La Liga.
Por pas përballjes me Realin e Madridit as matematika nuk i lejonte më që të festonin. Për këtë arsye, me Granadën zyrtarisht të rënë në La Liga 2, Uzuni vendosi t’i thoshte “stop” sakrificës së tij. Lojtari nga Berati nuk ishte pjesë e skuadrës në përballjen e sotme kundër Rajo Vajekanos dhe një gjë të tillë do ta bëjë deri në fund të sezonit.
Myrto Uzuni nuk do të grumbullohet nga trajneri Sandoval as në dy ndeshjet e radhës në kampionat. Futbollisti 28-vjeçar do të marrë kështu kohën e duhur për të rekuperuar shqetësimin që ndjen në tendinën e Akilit, në mënyrë që të jetë në formën më të mirë të mundshme për Kampionatin Europian që do të zhvillojë me Kombëtaren shqiptare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/