Granada nuk po kalon një formë të mirë në Spanjës. Rënia nga kategoria duket çështje kohe për bardhekuqtë, të cilët po hasin vështirësi në sigurimin e mbijetesës në La Liga. Megjithatë, ai që pritet të përfitojë nga kjo situatë është Myrto Uzuni.
Sulmuesi shqiptar është një nga pikat kryesore të Granadës. Vitin e shkuar lojtari nga Berati u shpall golashënuesi më i mirë në La Liga 2, ndërsa këtë sezon numëron 9 gola dhe 1 asist në elitën e futbollit spanjoll. Statistikat e tij kanë bërë që profili i Myrto Uzunit të spikasë në tregun e transferimeve.
Kërkesat nuk mungojnë për lojtarin e Kombëtares shqiptare, që pëlqehet në La Liga, në Gjermani dhe në Itali. Me rënien e Granadës nga kategoria, shanset për transferimin e Uzunit pritet të rriten ndjeshëm. Në një skenar të tillë, klauzola për largimin e tij do të përgjysmojet. Pra, nga 25 milionë euro, klauzola për transferimin e Uzunit do të shkojë në 12 milionë euro. Një shifër kjo, që rrit shanset për një ofertë të mundshme në verë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/