Laçi-Vllaznia ishte një ndeshje që prodhoi jo pak emocione në ditën e sotme. Kjo përballje është mbyllur në shifrat 2-2, teksa vendasit ishin shumë pranë fitores. Ata e mbyllën pjesën e parë në shifrat 2-0, duke krijuar idenë se do të fitonin sot kundër shkodranëve.
Myrta në minutën e 10 dhe Tresa në minutën e 25, do të shënonin 2 golat që vlenin shumë për Laçin. Kështu ekipet shkuan në dhomën e zhveshjes dhe te Laçi duhej vetëm që të mbanin rezultatin. Por në fare pak minuta, në të 55 me Coban dhe në 62 me Mensah, Vllaznia do të rikthente menjëherë baraspeshën.
Madje shkodranët iu afruan edhe përmbysjes së madhe, por në fund dolën vetëm me një pikë. Menjëherë pas takimit disa prej lojtarëve të Lacit janë shtrirë në tokë duke mos e kuptuar sesi u iku fitorja nga duart. Një ndeshje kjo e cila vlente më shumë për Laçin që kërkon të largohet nga zona e ftohtë sa më parë sesa për Vllazninë që i ka konsoliduar pozitiat e saj. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “RTSH Sport”:
Moireiro: “Kemi bërë një pjesë të parë të jashtëzakonshme, në pjesën e dytë Vllaznia gjeti golin, na bëri presion të madh dhe kam pak fjalë tani, nuk kam shumë për të thënë. Ne sa heqim pak dorë dhe e lëshojmë pak përqendrimin dhe dëshirën për të fituar, kur nuk kemi atë urinë e duhur, atëherë gjërat shkojnë vetëm për keq. Ndryshimi është që në pjesën e dytë Vllaznia bëri zëvendësime dhe hyn lojtarë shumë të mirë, ndërsa ne bëmë zëvendësime dhe nuk ndryshoi asgjë. Ndryshimin duhet ta bëjnë ata që vijnë nga stoli sepse janë më të freskët, por te ne ndodhi e kundërta, ata ngadalësuan lojën. Kjo më jep shumë bezdi në futboll po nuk vrapove nuk fiton”.
Brdaric: “Pikësëpari jam i lumtur që u kthyem në lojë pas rezultatit 2-0. Tregon që kemi mentalitet, kemi karakter. Nuk jam dakort me mënyrën sesi kemi luajtur në minutat e para. Laci po priste për gabimet tona. E dija filozofinë dhe idenë që Laci do të ndiqte në këtë takim, më vjen keq për mënyrën sesi shkoi, por në fund të fundit jemi të kënaqur edhe me një pikë. Shpresoj se herën tjetër do të rregullojmë gabimet tona. Jam i kënaqur me pjesën e dytë, mund të quaj një ndeshje që ishte 70% në rregull. Nuk mund të bëjmë më nga ato gabime”.