“Ne jemi më të lidhur me fanellën se sa Serbia”, Duka: Do ta dëshiroja fitoren po aq sa kualifikimin në Botëror

Armand Duka ishte i ftuar nga gazetari Blendi Fevziu për të zhvilluar një intervistë në emisionin “Opinion”. Tema e bisedës ishte pikërisht ndeshja kundër Serbisë, e cila do të luhet të shtunën në mbrëmje në “Arenën Kombëtare”. Presidenti i FSHF-së beson në arritjen e një rezultati pozitiv nga kuqezinjtë. Ai vlerëson kundërshtarin, por shton se ekipi ynë kombëtar është më tepër i lidhur me fanellën. Duka ka treguar edhe mesazhin që i ka përcjellë trajnerit Silvinjo, por edhe lojtarëve të Kombëtares.

“Serbia ka kualitete, ka traditë, ka shkollë të mirë futbolli, ka individë të mirë. Ne mendojmë që i kemi mundësitë për të arritur rezultat, sepse kemi një skuadër më kompakte. Një skuadër që është më e lidhur me fanellën. Interesimi në fakt në shkallët e stadiumit në Shqipëri për ekipin kombëtar është më shumë se në Serbi. Kjo na bën të mendojmë për një rezultat pozitiv. Mund ta arrijmë rezultatin pozitiv vetëm nëse gjejmë balancat emocionale. Ia kam dhënë mesazhin tim lojtarëve. Nuk dua t’i bezdis më deri në ditën e ndeshjes. Kjo ndeshje, sipas meje, dhe besoj se e kam eksperiencën e duhur, nuk ka nevojë më për motivim, sepse futbollistët janë shumë të motivuar. Kështu që duhet të gjejnë balancat dhe të kenë impenjimin maksimal dhe motivimin optimal për të marrë maksimumin.

Trajnerit i kam thënë që duhet ta përgatisim dhe ta jetojmë si një ndeshje futbolli, kundër një kundërshtari me kualitet, kundër një kundërshtari që ne duam t’i marrim fitoren dhe të marrim vendin e 2-të. Më e vështirë ndeshja këtu apo në Serbi? Mua më duket më e vështirë ndeshja këtu. Presioni është më i madh këtu. Ne kemi treguar që jashtë fushe kemi bërë ndeshje të mira. Kaq shumë ngarkesë ka kjo ndeshje, sa do ta dëshiroja po aq sa kualifikimi në botëror”, është shprehur Armand Duka./Sport Ekspres/