Ka përfunduar sot derbi për vendin e 3-të dhe të 4-t të “Abissnet Superiores”. Sfida mes Dinamos dhe Partizanit ka përfunduar me shifrat 1-2 në favor të “demave të kuq”. Pas ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Glen Daja (Dinamo): “Donim që të hidhmin formacionin bazë që kemi pasur gjatë kampionatit për t’i shpërblyer për kontributin e dhënë përgjatë gjithë vitit. Por edhe për të respektuar garën. Gjithsesi, e mbyllëm kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme. Mendoj se arsyeja për këtë ndeshje të sotme ishte lodhja nga ndeshja e fundit, aspekti psikologjik dhe duke parë kundërshtarin me një rotacion të plotë, nuk ishin të motivuar aq sa duhet.
Prisnim që të mbaronim të gjitha ndeshjet e “final four”-it dhe më pas të uleshim me të gjithë drejtuesit e me presidentin për të vendosur pikat mbi ‘i’. Normale që do të ketë merkato në hyrje dhe dalje. Por duke njohur presidentin Bardhi, besoj që lojtarët që do të vijnë do të jenë në kualitetin e lojtarëve që do të largohen, të tipit Zabërgja dhe Itodo. Nuk po e konfirmoj largimin, por po them që ka pasur oferta dhe do të ulemi t’i diskutojmë.
Patjetër që synimi im është të jem trajner i parë. Nuk synoj që ta kaloj babain, por synoj që t’i afrohem. Kam drejtuar edhe në Kosovë në kohën kur ai ka qenë i suspenduar. Kemi komunikuar gjatë gjithë javës. I kemi dhënë detyrat skuadrës. Sot besoj që ka qenë një ditë “jo” për të gjitha. Një ditë që mund t’i ndodhi çdo ekipi. Është po ky ekip që këtë edicion ka fituar Kupën e Shqipërisë pas 22 vitesh, ka siguruar një biletë në Europë pas 15 vitesh dhe janë po këta djem që kanë performuar shumë mirë gjatë gjithë vitit. Për një ndeshje “jo” nuk mund t’i hedhim poshtë”.
Gega (Partizani): “I kam parë të gjitha ndeshjet e moshave. Mendoja dhe besoja se këta më atë që kam parë nga niveli i tyre do të na ndihmonin. Edhe nëse nuk do të jepnin këtë performancë, nuk do të kishte asgjë negative. Jam shumë i lumtur për ta. Hera e parë që luanin 90 minuta, dy janë 16 vjeç dhe tjetri 19. Është bërë një hap i mirë. Do të kemi ide më të qarta dhe do të shkojmë në fazë përgatitore me 100% bindje.
Malaj dhe Himallari? E kam një farë guximi. Të gjithë ata që kanë karrierë e dinë fillimin. Kur thirren në stërvitje dhe sheh që kanë kualitet dhe personalitet, mbase nuk është eksperienca e duhur, por përse të mos i japësh shansin. Kanë kontribuar edhe te U17 dhe U19 për t’u shpallur kampionë. Deri tani duken shumë djem të mirë, të dedikuar dhe falenderues. Për familjet e tyre është lumturi, por edhe ne na jep kënaqësi. Himallari sapo i ka bërë 16 vjeç dhe pritet të bëhet pjesë e ekipit të parë me kontratë. Janë fëmijë dhe duhet të jemi në kontrollë. Duhet t’i menaxhojmë mirë. Mirëpo më bëri përshtypje sot që ishin të gjithë të lumtur. Ata që ishin në pankinë i dhanë kurajo dhe pas ndeshjes i uruan të tre.
Merkatoja? Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm për të larguar dikë. Duhet të jemi shumë të bindur për të marrë dikë tjetër. Sepse po i morëm gabimisht njerëzit jo të duhur, klubin e fusim në një situatë të vështirë. Jemi në Kupat e Europës dhe duhet të jemi të përgatitur, por nuk kam emra”./Sport Ekspres/