Në puntatën e tretë të emisionit “Në Shtëpinë e Futbollit”, që transmetohet çdo të mërkurë live në FSHF TV, u trajtuan disa tema me interes të veçantë për futbollin shqiptar.
Të ftuar në studio ishin Drejtori i Departamentit të Skautizmit në FSHF, Tefik Osmani, dhe Shefi i Departamentit të Arbitrimit, Sokol Jareci, ndërsa në një lidhje live mori pjesë ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala.
Në pjesën e parë të emisionit u analizuan paraqitjet e legjionarëve kuqezi, të cilët po kalojnë një formë shumë të mirë me klubet e tyre. Javën e fundit disa prej tyre kanë spikatur me gola, asistime dhe vlerësime individuale, si Ylber Ramadani që u shpall “Lojtari i Ndeshjes” në takimin Lecce – Sassuolo, apo Arbër Hoxha që u zgjodh “Lojtari i Muajit” në kampionatin kroat.
Më tej, u ndal vëmendja edhe te Akademia e Arbitrimit, e cila ka nisur sezonin e ri këtë javë me një pjesëmarrje të lartë prej mbi 90 kursantësh, duke treguar interesin e shtuar për këtë profil në futbollin shqiptar.
Pjesa e fundit e emisionit iu kushtua Kombëtares shqiptare të vajzave, e cila do të zhvillojë dy ndeshje vendimtare ndaj Qipros, me synimin për të ruajtur vendin në Ligën B të UEFA Nations League.
Para nisjes drejt Qipros, për FSHF TV folën futbollistet Arbiona Bajraktari, Qëndresa Krasniqi dhe Ezmiralda Franja, të cilat theksuan se skuadra është përgatitur mirë, ka besim dhe do të japë maksimumin për të arritur objektivin, qëndrimin në Ligën B të UEFA Nations League.
Arbiona Bajraktari – Gjendja e ekipit dhe si kanë shkuar përgatitjet? – Tani kam pasur disa ndeshje me ekipin e Vllaznisë. Kam bërë ndeshje shumë të mira dhe jam gati t’i shërbej edhe Kombëtares në formën time më të mirë. Grupi është mjaft i mirë, objektivi është i qartë, dua që të kalojmë Qipron. Jemi një grup fantastik dhe uroj që të shkojë mirë.
Objektivi për dy ndeshjet ndaj Qipros? – Normalisht që objektivi është vetëm fitorja, duke marrë parasysh që jemi një grup shumë i mirë vajzash. Vijmë nga një formë shumë e mirë, pasi kanë pasur minuta dhe kanë luajtur në ekipet e tyre.
Qëndresa Krasniqi – Si po përgatitet Shqipëria për dy ndeshjet ndaj Qipros? – Kemi një grup shumë të mirë dhe po punojmë shumë mirë, të përqendruara, me disiplinë dhe besoj shumë që me disiplinë, përkushtim dhe të bashkuara si gjithmonë do ja dalim të marrim rezultate të mira, fitore në të dyja ndeshjet.
Objektivi i skuadrës? – Objektivi ynë është i qartë, fitore në të dyja ndeshjet që të qëndrojmë në Ligën B.
Ezmiralda Franja – Dy ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Qipros, si po përgatitet skuadra? – Janë dy ndeshjet tona më të rëndësishme me ekipin, sepse vendosin fatin tonë për të qëndruar në Ligën B ose për të zbritur në një ligë më poshtë.
A e keni studiuar Qipron si skuadër? – Po, në fakt stafi teknik e ka studiuar ekipin. Nuk është ai ekipi me të cilin kemi luajtur para 4-5 viteve. Mendoj që është një ekip më i mirë dhe natyrisht nuk duhet t’i nënvlerësojmë, po ashtu as nuk duhet t’i mbivlerësojmë. Të tregojmë vlerat tona më të mira dhe të futemi në fushë për të fituar.