“Ne si staf i Interit duam të përgëzojmë Kristjan Asllanin”! Ndihmës trajneri i Interit e ngre në “qiell të shtatë” shqiptarin: Super ndeshje!

Interi ka marrë fitoren e radhës në Serinë A. Zikaltrit kanë mposhtur Empolin me rezultatin 3-1. Protagonist në të takim ishte edhe Kristjan Asllani. Mefushori ka marrë minuta të plota në këtë sfidë, ku ka dhënë kontributin e tij në marrjen e tre pikëve.

Në minutën e 79, Asllani dha asistin nga goditja e këndit për Dumfrisin. Ky i fundit më pas e dërgoi topin me kokë në rrjetën e Empolit për të dytën herë gjatë takimit. Edhe njëherë tjetër Asllani tregon aftësitë e tij edhe në ekzekutimin e goditjeve të ndaluara, ndërsa vetëm pak javë më parë do të shënonte nga goditja e këndit në Kupë.

Gjithashtu vlen të theksohet se për herë të parë ose për të qenë më të saktë, nga të paktat raste, Asllani luajti për 90 minuta në fushën e blertë dhe nuk u ndërrua nga trajneri. Mesfushori shqiptar ka marrë një prej notave më të larta, ndërsa ka përshkruar më shumë kilometra se të gjithë lojtarët e tjerë të Interit.  (Shiko asistin e Asllanit në videon më poshtë)


Menjëherë pas ndeshjes, lojtari i Kombëtares ka marrë edhe vlerësimet e mëdha te Interi. Fillimisht ishte autori i golit, Dumfries, i cili u shpreh: “Goli im? Ishte një asist i bukur që më dha Kristjan Asllani, ekzekutim perfekt i goditjes së këndit, ai është një lojtar i madh”, tha Dumfries.

Nga ana tjetër, ndihmës trajneri i Interit, Farris, ka ngritur në qiellin e shtatë Asllanin. “San Siro është një stadium i lodhshëm, të jep shumë presion në këmbë. Ne si staf i Interit duam që të duartrokasim dhe urojmë Asllanin për performancën e treguar kundër Empolit, bëri një ndeshje të madhe. Ka marrë shumë kritika pas ndeshjes me Bologna-n dhe sot tregoi të gjitha cilësitë e tij”, tha Farris. Ndërkohë shumë tifozë të Interit besojnë se Asllani duhet të ketë një rol më të avancuar pasi e bën më të rrezikshëm në portën kundërshtare dhe njëkohësisht i heq përgjegjësitë nga ndihma në fazën mbrojtëse, pikën e tij të dobët. /Sport Ekspres/