Ditët po kalojnë dhe gjithë vëmendja e sportdashësve shqiptar është te përfaqësimi i Kombëtares në Europian. Prozhektorët janë kthyer me të drejtë nga Jasir Asani dhe Armando Broja, por pa harruar një tjetër emër: Nedim Bajramin.
Megjithëse me minuta të pakta te Sasuolo, sa herë e thërret detyra në Kombëtare shfaqet në lartësinë e duhur. Silvinjo duket se e ka rilindur mesfushorin shqiptar, “fantazia” e të cilit ka qenë një nga kartat fituese për trajnerin brazilian.
Ndeshja e sotme kundër Azerbajxhanit ishte treguesi më i freskët i rëndësisë së tij në skuadër. Një gol i mrekullueshëm nga distanca solli zhbllokimin e rezultatit, ndërsa në fund dha edhe një asist për Qazim Laçin. Klasi, teknika dhe shpirti i garës për të vrapuar deri në sekondën e fundit janë padyshim elementët që e bëjnë të dallohet me fanellën kuqezi dhe mbi të cilat do të na duhet të mbështetemi në tre ndeshjet e vështira të grupit në Euro 2024./Sport Ekspres/