Karlo Ançeloti është paraqitur përpara gazetarëve për konferencën për shtyp në prag të sfidës së nesërme kundër Barcelonës. Skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën për të bërë të tyren trofeun e Superkupës së Spanjës. Trajneri i Realit të Madridit ka theksuar se sezoni do të vazhdojë po njësoj edhe në rast humbjeje. Por më tej ka shtuar se, duke u bazuar në statistika, në rastet kur fiton Superkupën, Reali i Madridit arrinë të triumfojë edhe në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.
“Nëse humbasim nesër, sezoni vazhdon. Është një finale dhe ne jemi shumë afër një tjetër titulli. Po mendojmë pozitivisht, por jam i vetëdijshëm se në futboll gjithçka mund të ndodhë, sidomos nëse kundërshtari është aq i fortë sa Barcelona.
Lojtarët po shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Atmosfera është e shkëlqyer. Nuk e di se çfarë bëjnë në dhomën e zhveshjes, por as nuk dua që ta di këtë gjë (qesh). Ky trofe ka vlerë, sepse statistikisht, sezoni në të cilin kemi fituar Superkupën ka shkuar gjithmonë shumë mirë. Kjo sepse kemi fituar La Ligën dhe Ligën e Kampionëe. Është një fitore që të jep shumë motivim”, ka deklaruar Karlo Ançeloti./Sport Ekspres/