Vedat Muriqi ishte i ftuar në emisionin “Canape” në “T7”, ku ka dhënë një rrëfim të gjatë për karrierën dhe jetën e tij personale. Sulmuesi shqiptar ka pasur fatin të luajë përballë dy prej skuadrave më të mëdha të botës, Barcelonës dhe Realit të Madridit. “Pirati” ka treguar çfarë i kaloi në mendje në momentin kur luajti për herë të parë kundër Realit të Madridit. Muriqi ka thënë se niveli i tyre ishte dukshëm më i lartë, duke vënë në pikëpyetje edhe besimin e tij te vetja.
“Në ndeshjen e parë që luajtëm kundër Madridit thoja: ‘Nëse këta janë futbollistë, atëherë çfarë jam unë’?! Ata e bënin diferencën me kualitet, me tempo të lojës. Vërtetë që nuk më dukej vetja futbollist afër atyre. Thoja: ‘Jo, jo, këta e kanë diçka tjetër. Ose po ushqehen ndryshe, ose po pushojnë ndryshe’. I kam shënuar gol Realit të Madridit në kohën kur Kurtua ka qenë portier dhe u zgjodh portieri i vitit. Mbaj mend që e pashë topin që u fut në rrjetë dhe u ktheva për të gëzuar”, ka treguar Vedat Muriqi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/