Vasil Ruci ishte i ftuar në emisionin “Max Sport” që transmetohet në “EuroNeës Albania”. Legjenda e futbollit shqiptar preku një detaj të veçantë, kur tifozët u ngritën në këmbë për Mirlind Dakun dhe më pas Silvinjo u bind për ta hedhur në fushë kundër Serbisë. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Europianin e Gjermanisë me Armando Brojën.
“Brojën, lojtarin tonë më të mirë, e fusim në një vend që të shërbej për ekipin dhe të mos marrim maksimumin. Unë një pyetje kam, ne themi që kemi brezin më të mirë të lojtarëve te Shqipëria, po ky Silvinjo, është trajner më i mirë se Shqipëria, njësoj si Shqipëria apo më keq se Shqipëria? U ngrit gjithë stadiumi në këmbë dhe thërriste: “Daku, Daku”. Dhe në Europian, u ngrit stadiumi në këmbë dhe tha: “Broja, Broja”, u ngrit Silvinjo dhe futi Brojën. Nëse tifozët janë më inteligjent se Silvinjo, kuptojnë më shumë se ai, atëherë nuk ke se çfarë të thuash”, tha Vasil Ruci.
Ndërkohë një koment interesant mbërriti edhe nga një i tifoz i Kombëtares pas ndeshjes me Serbinë, shqiptari i Tetovës. “Jam nga Tetova. Me pak fat do të kishim fituar kundër Serbisë. E prisja edhe pak më shumë atmosferë, një shtyrje më e madhe nga tifozët. Ky është futbolli, kur e do më shumë, nuk të vjen. Mendoj se nëse kjo ndeshje do të luhej në Maqedoni ose në Kosovë do të ishte jetë a vdekje, ndërsa në Shqipëri nuk e kuptojnë ende mirë se çfarë kemi pasur me serbët”, tha tifozi. /Sport Ekspres/