“Nëse luajmë kështu ndaj Atletikos, nuk fitojmë dot”, Ançeloti e pranon: E merituam humbjen

Reali i Madridit ka marrë një humbje të papritur mbrëmjen e djeshme. Klubi kryeqytetas është mposhtur me shifrat 2-1 nga Real Betisi. Ançeloti ka thënë pas ndeshjes se kjo ishte një humbje e merituar për “los blancos”. Sipas tij, nëse do të luajnë në të njëjtën mënyrë edhe në Ligën e Kampionëve përballë Atletikos së Madridit, atëherë do të humbin sërish.

“E merituam humbjen. Nuk luajtëm në nivelin tonë. E nisëm mirë, por më vonë na iku kontrolli i ndeshjes. Nëse luajmë kështu kundër Atletikos së Madridit, atëherë nuk do të fitojmë. Është shumë e qartë. Shpresoj që të shërbejë për të na zgjuar. Zëvendësimi i Mbapesë? Ai nuk ishte në nivelin e tij më të mirë, sepse nui u stërvit shpesh me ne në ditët e fundit. Nuk ishte në 100%-shin e tij”, ka deklaruar Karlo Ançeloti./Sport Ekspres/