“Nëse ti je lojtar i mirë, përse duhet të shkosh te Chelsea tani?”! Carragher i lë të gjithë pa fjalë: Se duan kontratën 7-vjeçare dhe të sigurojnë jetën me para

Chelsea është në kryeqendrën e vëmendjes mediatike europiane në këtë merkato vere. Kjo pasi në këtë skuadër janë mbi 40 lojtarë në organikë të cilët po stërviten dhe po kërkojnë që të marrin besimin e trajnerit Maresca. Një konfuzion i madh te londinezët, me disa lojtarë që janë jashtë planit të teknikut të cilët nuk po shiten ende, ndërkohë që Chelsea nuk po ndalon me blerjet e reja. Fjalimi brilant i Carragher në “Sky Sport” i referohej faktit se lojtarët e rinj po nënshkruajnë te Chelsea sepse e dinë që do të përfitojnë shumë para dhe një kontratë 7-vjeçare që i siguron atyre “jetën futbollistike”. Nga ana tjetër, Carragher, nuk gjen asnjë arsye tjetër se pse një lojtar i mirë do t’i bashkohej Chelsea në një moment kaosi të këtij niveli.

“Chelsea duhet të ndalojë së bleri lojtarë dhe lojtarët duhet të ndalojnë së shkuari te Chelsea.  Unë nuk e di, nëse unë do të isha lojtar tani dhe Chelsea do të më kërkonte, cila do të ishte arsyeja që unë do të shkoja te Chelsea? E vetmja arsye që mund të shkosh te një ekip si Chelsea tani është sepse të tjerët do të thonë, sepse menaxheri do të thotë, do të marrim një kontratë 7-vjeçare, janë shumë para në lojë. Të sigurohet jeta dhe paratë për 7 vite. Ndërkohë që nëse kthen kokën mbrapa, kur unë isha lojtar ti nënshkruaje një kontratë 4 vjecare më pas duhej të tregoje veten.

Nëse bëje mirë, atëherë do të rinovohej kontrata dhe do të shtoheshin paratë.  Chelsea nuk ka asnjë lloj projekti, pjesë e kujt projekti do të bëhesh ti si lojtar që shkon atje? Ata morën Felix, më tregoni pak se ku do të luajë Felix tani. Morën Neton një javë më parë, më tregoni pak se ku do të luajë Neto, kur ti ke një Cole Palmer. Një ekip i madh futbolli kërkon konkurrencë mes lojtarëve, por konkurrencë të shëndetshme, jo të këtij lloji. Te cdo ekip që unë kam luajtur më parë, ishin 7-8 lojtarë që e dinin gjithmonë që do të luanin në formacion cdo javë. Nga ana tjetër ishin 6-7 lojtarë të tjerë që e dinin gjithmonë që duhej të luftonin për të marrë tre vendet e tjera të mbetura të formacionit. Kjo është konkurrenca e shëndetshme, ti mund t’i shtosh një tjetër vlerë këtij ekipi. Më thoni ku do të ndërrohet Felix, ku do të hyj në lojë Felix, në stërvitje? E kam seriozisht. Nëse ti ke 40 lojtarë, si mund t’i fusësh në një dhomë zhveshje, në një fushë stërvitore”, tha Carragher. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/