“Nesër do të jetë një ditë që nuk do ta harroj”, Silvinjo tregon forcën: Edhe unë kam lojtarë brilantë, vendi ynë është krenar për ne

Shqipëria do të luajë mbrëmjen e nesërme ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në EURO 2024. Kuqezinjtë kanë një shans për të siguruar kualifikimin, por përballë qendron një nga Kombëtaret më të mira të këtij kompeticioni, Spanja. Silvinjo është paraqitur në konferencë për shtyp, ku i ka thurur elozhe kundërshtarit, por nga ana tjetër ka nxjerrë në pah edhe forcën e Shqipërisë.

“Është goxha emocionuese. Spanja më ka mirëpritur mua dhe familjen time. Kam ndërtuar jetën time atje. Fati është diçka e mrekullueshme. Spanja është një skuadër brilante, me një trajner të mrekullueshëm. Do të jetë një ditë që nuk do ta harroj. Nesër do të luajmë kundër një prej skuadrave më të mira në botë, kundër disa prej lojtarëve më të mirë në botë. Ata janë mes favoritëve për ta fituar këtë kompeticion.

E kam vëzhguar në 5-6 muajt e fundit, që kur është hedhur shorti. Janë shumë të mirë dhe në mbrojtje krijojnë pak hapësirë. Janë të organizuar shumë mirë. Na pret një lojë e vështirë nesër. Por edhe ne kemi lojtarë brilantë dhe shumë ambiciozë. Jemi shumë të emocionuar.

Shkova me Zabaletën (për të parë ndeshjen Spanjë-Itali). I dimë të gjithë kundërshtarët e grupit tonë. Nuk është problem të shohim një ndeshje shtesë. De La Fuente ka bërë një punë të mrekullueshme. Kanë humbur vetëm një ndeshje kundër Skocisë në kualifikuese. Por lojtarët e mi janë të guximshëm. Vendi ynë është krenar për ne. E kemi një mundësi, çdo gjë mund të ndodhë gjatë 90 minutave në fushë. E dimë që kemi cilësi, prandaj do të shkojmë në fushë për të luajtur”. Do të tentojmë të arrijmë diçka më shumë. Ne vazhdojmë të ëndërrojmë, ka deklaruar Silvinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/