Ditët po afrojnë dhe gjithmonë e më shumë edhe emocionet e mëdha për Botërorin. A do të shkojë Shqipëria në Play Off-in e Botërorit për herë të parë në histori? Jemi kaq afër, por frika e herës së parë, nëse diçka nuk sigurohet me 100%, do të sjelli gjithmonë panik derisa matematika të na jap frymëmarrjen e lirshme.
Për të siguruar zyrtarisht kualifikimin kërkohen dy skenare, një fitore e thellë e Shqipërisë me Andorrën dhe një humbje minimale me Anglinë, duke përfshirë këtu edhe një barazim të Serbisë në transfertë me Anglinë ose në të kundërt, që Anglia të bëj detyrën e saj kundër Serbisë për të fituar në shtëpi dhe Shqipëria të fitojë minimalisht me Andorrën.
Pra gabimi i bërë me Letoninë ndihet ende te Shqipëria, përkundër faktit të fitores së madhe me Serbinë. Jo gjithçka ngelet në dorën e tyre, Anglia ka në dorë saktësisht se kë ekip do të marrë me vete për në Botëror, për ta dërguar në Play Off-in e Botërorit. A mund të hapi rrugë Anglia kundër Serbisë? Anglia është një ekip që në kualifikuese kur lojtarët janë në kulmin e ritmit, merr gjithmonë pikët e plota në grup. Por në momentin që fillojnë evenimentet si Botërori apo Europiani, kur lojtarët janë stërloidhur nga kompeticionet, vijnë edhe rezultatet e dobëta të Anglisë.
Golavarazhi i tyre nuk lë vend për shumë dyshim, 18-0, pra 18 gola të shënuar dhe 0 gola të pësuar në grup deri tani. Për më tepër një fitore e pamëshirshme në Beograd, 0-5. Marrëdhëniet mes Anglisë dhe Serbisë nuk janë shumë të mira, Vucic ka akuzuar Britaninë se ka mbështetur fuqimisht dhe ekonomikisht protestat kundër tij në Serbi, ndërsa edhe në Beograd pati përleshje mes tifozëve. Por deklarata e trajnerit Tuchel ka ngjallur pak diskutime. Pasi siguroi matematikisht kualifikimin, ai tha: “Kundër Serbisë dhe Shqipërisë do të luajmë me lojtarët e stolit”.
Por cilët janë lojtarët e stolit të Anglisë? Rashford i Barcelonës, Eze i Arsenalit, Lofuts Cheek i Milanit. Pra ka shumë emra që janë jo vetëm të frikshëm, por do të tentojnë me çdo mënyrë për të bindur Tuchel që t’u besojë në të ardhmen. Ndërkohë edhe marrëdhëniet e Anglisë me Shqipërinë nuk janë kaq të mira.
Para pak ditësh, Skënderbeu U-19 barazoi në shtëpi ndaj Aston Vilës U-19 në Europë, 1-1. Pas kësaj fitore, një sjellje e turpshme pasoi nga anglezët. Kur ndeshja përfundoi, vetëm dy lojtarë të Aston Villës përshëndetën futbollistët korçarë, të tjerët u larguan dhe nuk e përtypnin dot inatin e një barazimi me shqiptarët. Madje ata krijuan një trillim, për një histori të pavërtetë ku sipas tyre tifozët shqiptarë kënduan kore raciste kundër tyre dhe e dërguan çështjen në Komisionin e Displinës në UEFA. Prandaj askush nuk duhet të llogarisë të sigurt një “dhuratë” nga Anglia, Shqipëria duhet të futet në fushë për të fituar sa më thellë të mundet ndaj Andorrës pasi mund të ndodh që në fund të kësaj rruge kualifikuese, të qajmë golat e munguar në transfertën me Andorrën dhe t’i gëzohemi vetëm asaj fitore në Leskovac kundër Serbisë. /Sport Ekspres/