Disa djemë nga gjimnazi “Petro Nini” do të krijonin përpara disa vitesh, më saktësisht në vitin 2011, atë që quhej si “sporti i ndaluar” për shqiptarët, Regbinë. Sigurisht, edhe tani shumëkujt mund t’i duket utopike dhe larg fantazisë se Shqipëria po përgatit një brez të mirë dhe po shtron rrugën e suksesit në këtë sport, që në të ardhmen të kemi fjalën tonë në arenat ndërkombëtare. Imagjinoni në vitin 2011, kur disa djemë vizionar, Ditmar Halla, Mariglen Nezaj, Stiljan Sala, Erland Abazi dhe Olban Llapaj krijuan një frymë të re për sportin shqiptar.
Deri atëherë, njerëzit ngriheshin ende në këmbë kur Kombëtarja kalonte mesfushën në futboll, ishte emocioni më i madh i përjetuar dhe njëkohësisht mbusheshin pak me shpresë në shtangat e ngritura në limite. Dhe kështu u krijua sporti ku ka një bashkëpunim dhe një ndërthurje mes forcës dhe teknikës. Ekipi i parë i krijuar ishte klubi i regbisë Tirana, atje ku Xhino Drangu, në vitin 2012 u bashkua si trajner i parë i këtij klubi. Më pas në vitin 2013, Xhino Drangu u bë edhe presidenti i parë i klubit të Tiranës për regbi. Sot i mbeten me siguri kujtimet më të bukura të jetës, me pasionit për sportin në fjalë, por edhe vuajtjeve, vështirësive dhe luftës për ekzistencë.

Shumëkush mund ta quante “të çmendur”, por pasioni i tij për këtë sport dhe mbi të gjitha vizioni i qartë sesi gjërat do të ndryshonin pas disa vitesh edhe në Shqipërinë tonë të bukur, bëri që Xhino të jetë Presidenti i Parë i Federatës Shqiptare të Regbisë. Dhe kush më mirë sesa ai mund ta merrte këtë pozicion pasi ka qenë një nga themeluesit? Me siguri që askush!

“Regbinë e kam nisur në vitin 2012 si trajner i ekipit të Tiranës. Me kalimin e viteve, falë punës dhe përkushtimit, mora përgjegjësinë e drejtimit dhe u zgjodha President për 12 vite. Sot jam një nga themeluesit dhe Presidenti i parë i Federatës Shqiptare të Regbisë, një rrugëtim që nuk ka qenë i lehtë, por jashtëzakonisht domethënës.
Dy vitet e fundit kanë qenë më të rëndësishmet për federatën tonë, sepse më në fund po ndërtojmë diçka të qëndrueshme dhe reale për të ardhmen. Në aspektin social, nisëm projektin “Rugby 4 Change”, së bashku me Qendrën e Parandalimit të Krimeve të të Miturve. Çdo javë në IEVP Kavajë, të rinjtë atje kanë mundësi të zhvillojnë sportin olimpik Regbi 7, duke mësuar disiplinë, respekt dhe punë në grup. Kjo iniciativë nuk është vetëm sport — është edukim dhe rehabilitim.

Ndërkohë, Klubi i Regbisë Tirana dhe grupmosha U18 kanë arritur një sukses të madh, duke u renditur të dytët në kampionatin malazez, një arritje historike që tregon se brezi i ri po rritet shpejt dhe me cilësi. Ekipi kombëtar ka shënuar dy fitore të jashtëzakonshme:
• 88–0 ndaj Kosovës, dhe
• 57–0 ndaj Greqisë,
rezultate që tregojnë se Shqipëria ka potencial real në këtë sport. Trajnerit tanë Arbian Peposhi me eksperience të gjerë ne Britani dhe David Attoub i cili eshte ish lojtar Francës kane rritur ndjeshëm nivelin e lojës dhe si rrjedhojë kjo ka sjellur rezultate dominuese.
Vizioni im është i qartë: hapja e regbisë në shkolla dhe krijimi i programeve të rregullta për brezat e rinj. Ky sport ka shume disiplina dhe njëra prej tyre eshte regbi 7, një loj dinamike dhe e shpejt. Shqipëria ka shumë talente jashtë vendit, që luajnë për klubet dhe kombëtaret më të mira në Europë. Për ne kjo është motivim, dëshmi që talenti shqiptar ekziston dhe mjafton të ndërtojmë strukturat e duhura këtu në vend.

Në vitin 2026, synojmë të finalizojmë angazhimin në Balkan 7s, me ndeshje të planifikuara kundër Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për praninë tonë rajonale dhe për rritjen e eksperiencës ndërkombëtare të lojtarëve tanë të rinj”, tha në prononcimin e tij presidenti Xhino Drangu.
Ai vendos theksin me të drejtë tek dy fitoret e jashtëzakonshme dhe që nuk kanë lënë vend për asnjë dyshim, 88-0 me Kosovën dhe 57 me 0 me Greqinë. Deri tani, Kombëtarja ka zhvilluar katër ndeshje zyrtare. Shqipëria e ka humbur takimin e parë në Kukës kundër Kosovës në janar të 2024, 10-34 dhe po ashtu në mars të 2024 ndaj Kosovës, por këtë herë në Shkodër, 10-34.

Pas një viti, vetëm disa muaj më pas, u ndie gjithë rritja e madhe e Shqipërisë. Në Istog, në shkurt të 2025, Shqipëria fitoi 88-0 me Kosovën, ndërsa në nëntor të 2025, kundër Greqisë në Tiranë, ndeshja përfundoi 57-0. Pra siç e tha edhe presidenti i Federatës së Regbisë, në saj të trajnerëve me eksperiencë që po sillen, por mbi të gjitha me pasionin dhe dashurinë e madh për këtë sport, rezultatet e Shqipërisë së 2025 me atë të 2024 kanë ndryshuar në mënyrë të frikshme, por shumë të mirë. Dalëngadalë kjo Federatë do të ketë financa edhe më të shëndosha për të shkuar atje ku dëshiron dhe Shqipëria në të ardhmen do të ketë një fytyrë të re, për t’u përfaqësuar denjësisht edhe një sport të ndaluar dhe harruar për ne shqiptarët. Dhe e gjitha kjo, falë vizionit dhe “çmendurisë së bukur” të presidentit Xhino Drangu. /Sport Ekspres/
