Një dolli me fund, për sportin në Shqipëri! Qeveria shqiptare ka pesëfishuar fondet për një projekt të KOKSH, me shifrat që kalojnë nga 250 milionë lekë në 1.2 miliardë lekë brenda pak vitesh. Projekti quhet “Ekipet sportive në shkolla” dhe deri këtu është gjithçka në rregull.
Dikush do të thotë që më në fund Qeveria po hedh një vështrim drejt sportit. Nuk ishte e largët koha e COVID ku të gjithë përfituan “pagën e luftës” përveç futbollistëve. E megjithatë edhe në këtë rast, gjëja nuk është kaq e bukur, por është e kësaj forme siç ndodh në Shqipërinë tonë: “Ligjet janë të bukura, shpesh si vëndet perëndimore, zbatimi i tyre më pas është si një shtet i harruar diku në Europë”.
Pyetjet mund të jenë të shumta, por shumëkush mund të ngrejë dyshime për transparencën, mënyrën sesi do të ndahet një fond i tillë dhe ku do të shkojë ai. Por në fund të fundit, e marrim të mirëqenë se gjithçka do të shkojë në vendin e vet. Të paktën, nëse fonde të tilla vazhdojnë të xhirojnë në këtë mënyrë, përse sporti në Shqipëri është kaq larg?
Vetëm dje Shqipëria u poshtërua në grupmoshat e futbollit, 116-22 kundër Serbisë në basketboll për femra. Dhe kjo është vetëm një prej fushave të sportit, duke hequr futbollin që ka një tjetër menaxhim, çdo anë tjetër e sportit lë shumë për të dëshiruar. Për momentin e vetmja gjë që krenohen drejtuesit përveç futbollit janë disa medalje që marrim nga mundja, xhudo.
Dhe ato nuk mbajnë firmën e Shqipërisë, por janë disa atletë të huaj të cilët për arsye nga më të ndryshmet nuk garojnë dot më për vendet e tyre dhe më pas zgjedhin Shqipërinë si e vetmja mundësi për të mos mbyllur karrierën në arenën ndërkombëtare, si i vetmi shtet që është gati për të pranuar “të përjashtuarit” e shteteve të tjera. Madje as ata nuk dimë t’i mbajmë pasi skiatorja italiane Lara Colturi donte të ikte nga Shqipëria duke kërkuar zyrtarisht largimin.
Të paktën, të kemi disa rezultate dhe për shifrat, askush më nuk do të flas. Të paktën, të jemi më shumë konkurrues me shtetet e tjera dhe të mos kemi diferenca kaq të mëdha, si ajo e djeshmja në basketboll, 116-22. E teksa fondet dhe mbështetja për futbollin mungon, ajo për KOKSH ngelet e pakursyeshme, por përderisa nuk po prodhon asnjë rezultat të vetëm dhe menaxhimi në këtë aspekt lë gjithmonë për të dëshiruar, pikëpyetja tona të ngritura në kokë nuk mund të quhen më aludime. Apo toka shqiptare nuk prodhon talente? Apo toka shqiptare nuk ka njerëz aq të aftë sa për t’u përpjekur që të konkurrojnë me kundërshtarët, vetëm të konkurrojnë, askush nuk po thotë për të fituar…
Pak çudi sepse historia na tregon për një racë shumë superiore në krahasim me të tjerët dhe sporti mbështetet fortë në genin e popullit, të sportistëve. Nëse mbështetja financiare nuk po mungon për sportistët që e meritojnë këtë mbështetje, atëherë përse jemi kaq larg të tjerëve? Situata duket e pandryshuar, fondet shtohen gjithmonë e më shumë dhe pas disa muajsh apo vitesh, këto shifrat do të përmenden si një hap pozitiv dhe zhvillimi për sportin në Shqipëri, që vazhdon të krenohet me prodhimet artificiale të Azerbajxhanit, Taxhikistanit apo Italisë. Gjithsesi, një dolli me fund, për sportin në Shqipëri, GëZUAR! /Sport Ekspres/