Fabjan Përndreca është një nga ato rastet që meriton vetëm duartokitje. Në ndeshjen Zvicër-Shqipëri, të mbyllur në shifrat 2-1, në minutën e fundit të ndeshjes, me zgjuarsisë Përndrecaj shmangu dy lojtarë kundërshtarë, por topi nuk iu bind dhe përfundoi ngjitur me shtyllën. Shumë pranë! Por më shumë se goli, ajo që kishte rëndësi të madhe dhe bëri përshtypje ishte padyshim shpirti i hedhur në fushë nga lojtarët e Superiores për Shqipërinë U-21 dhe përjetimi i tyre.
Me duart në kokë dhe me një dëshirë për të ngrënë veten me dhëmbë nga nervat, përjetimi i Përndrecajt ishte shumë më tepër sesa një ndeshje miqësore. Sepse të luash për Shqipërinë nuk ka kurrë miqësore, por vetëm përfaqësim kombi. Për këtë arsye Koha Shtesë i ka kushtuar një vëmendje të madhe këtij rasti duke bërë një intervistë me 19-vjeçarin e Bylisit.
Një aftësi e rrallë e tij mes lojtarëve të Shqipërisë, por si të ishte një lojtar i Islandës, janë rivëniet e gjata me dorë që shkojnë si goditje këndi për ne. Në momentet kur luajmë ndaj kundërshtarëve të fortë që nuk të lënë mundësi shumë për të bërë aksione, është edhe kjo zgjidhje për të tentuar golin me fat mes rrëmujës. Por gjithsesi, kjo vjen nga duart e Fabjan Përndrecat. Në intervistë Përndreca tregoi sesi arriti që të shkëlqente në ndeshjen kundër Zvicrës U-21 pavarësisht se vjen nga futbolli shqiptar. Përgjigja ishte shumë e qartë, dëshira e madhe e lojtarëve tanë zbehu diferencat me lojtarët e Zvicrës. (Intervistën e plot e gjeni më poshtë)
“Ishte emocion i madh ajo ndeshje me Zvicrën, nuk mendova asgjë tjetër në atë moment përveç barazimit të ndeshjes. Doja të barazoja ndeshjen sepse po jepnim gjithcka në fushë, por nuk deshi, këtë herë fati nuk ishte me ne. Loja e mirë e ne futbollistëve nga Shqipëria? Shiko, ne vijmë nga Shqipëria, ndërsa kundërshtari ishte pjesërisht nga Zvicra, të stërvitur jashtë. Fanella shqiptare është stemë e madhe dhe me grint dhe shpirt, me atë bluze që kishim veshur, e zbehëm diferencën me ta, dëshira jonë e madhe si e imja, e Maksutit dhe të tjerëve, bëri që të shkonim aq shumë afër barazimit, që për fat të keq nuk erdhi. Para disa viteve kam bërë edhe puna të tjera përvec futbollit, për të mbajtur familjen, por pastaj i lashë ato punë dhe vendosa që të ndryshojë dicka për jetën time nëpërmjet futbollit, e dija se do të arrija sadopak larg me futbollin dhe prandaj zgjodha që t’i lija ato punë. U stërvita shumë për të arritur deri këtu, sigurisht që nuk kam arritur shumë, por ka ende kohë për të punuar dhe për të shkuar më larg në të ardhmen. Rivëniet anësore të gjata? E kam pasur gjithmonë si krosim, si top të gjatë, e kam përdorur gjithmonë në Kombëtare dhe në klub. është një rast i mirë edhe për të shënuar gol kështu”, tha Përndrecaj. /Sport Ekspres/