Shqiptarët janë të suksesshëm dhe genetikisht të prirur për të arritur shumë larg në karrierë, në çdo fushë të mundshme, jo vetëm ato të errëtat e dala rëndomtë në kronikat e zeza. U desh hapja e COVID-19 për të kuptuar realisht sesa shqiptarë kishin shkuar nëpër postet më të larta të spitaleve në botë, nga vendi më i afërt në Europë e deri te Amerika e largët, shqiptarë të cilët kishin ndërtuar histori suksesi dhe karriere.
Edhe në futboll po e dëshmojmë më së miri se pavarësisht se jemi vend i vogël, prodhojmë talente të shumta të prirur për t’u bërë yje futbolli të klasit botëror, por më pas menaxhimi i vetvetes i pengon për t’i marrë vetes maksimumin. Arbitrat tanë gjithashtu po gjykojnë në Europa League, ndërsa Armand Duka është zëvendës president i UEFA-s. Nga krahu tjetër është edhe një histori suksesi në zhvillim si ajo e Egi Duros. Në mbrëmjen vëllazërore dhe ndeshjen që solli festën për gjithë shqiptarinë para 28 nëntorit, Drita-Shkëndija, Egi Duro bëri debutimin e tij në UEFA.
Një debutim si VOBM, Venues Operations and Brodcast Manager, në pozicionin që mbikqyr funksionimin e një ndeshje futbolli, pra mbarëvajtjen teknike të gjithë procesit të transmetimit televiziv dhe organizimin e çdo gjëje që ka të bëjë me mediat, marketingun dhe pamjen vizuale të hapësirave zyrtare në stadium. Për të thënë më thjeshtë, një delegat siç ne jemi mësuar të shohim, por jo për gjyqtarët, por për pjesën e medias.
Vetëm se në këtë rast bëhet fjalë për UEFA-n dhe ndeshja e parë ku Egi Duro kishte përgjegjësi të plotë dhe duhej të tregonte veten e tij pas kalimit të trajnimit ishte ajo mes Dritës dhe Shkëndijës. Duke parë faktin se është një ndeshje shqiptare, UEFA vendosi t’i besonte në këtë takim, ndërsa në të ardhmen të njëjtin rol, Egi Duro mund ta luajë në ndeshjet e Champions League apo kompeticionet si Europiani apo Botërori. Një punë e bërë më së miri dhe aftësitë e shfaqura në mënyrë të shkëlqyera nga gazetari i cili punoi shumë vite në Supersport, aty ku mori edhe postin e drejtorit. Së fundmi është marrë me nisjen e FSHF TV dhe projekti i radhës është ky që lidhet drejtpërsëdrejti me UEFA-n. Rruga e Egi Duros duket e gjatë dhe më një CV që është për t’u admiruar, shqiptarët tregojnë edhe njëherë tjetër se vuajnë vetëm për një mundësi, asgjë më shumë sesa kaq. /Sport Ekspres/