“Njerëzit le të më kujtojnë si të duan”, puna si trajner lodh Guardiolën: Do të bëj një pushim sapo të largohem nga Siti

Periudha e gjatë e Mançester Siti duket se ka qenë shteruese për energjitë e Pep Guardiolës. Trajneri katalanas e ka bërë të qartë se pasi të largohet nga “qytetarët” do të bëjë pushim për një periudhë të pacaktuar kohe. Ai ka deklaruar se nuk i intereson se si do ta kujtojnë njerëzit, por shpreson që tifozët e skuadrave që ka drejtuar të jenë kënaqur duke i parë ato në fushën e blertë.

“Nuk kam thënë që do të largohem tani ose në fund të sezonit. Po them që kur të mbarojë koha ime këtu, nuk e di nëse do të jetë për një, dy, tre, katër, pesë apo gjashtë vite… Do të bëj një pushim. Nuk do të pensionohem, por është e sigurt që do të bëj një pushim. Njerëzit le të më kujtojnë si të duan. Shpresoj që tifozët e Barcelonës, Bajernit të Mynihut dhe Mançester Sitit të kenë kaluar mirë duke parë skuadrat e mia duke luajtur”, ka thënë Pep Guardiola./Sport Ekspres/