Shqipëria është kualifikuar zyrtarisht për herë të parë në Play Off-in e Botërorit. Duke parë faktin se ndeshja me Anglinë do të luhet për prestigj nga kuqezinjtë dhe vendi i dytë është arritur matematikisht, Sport Ekspres ka menduar që të jap notat e 11-shes titullare më të përdorur nga Silvinjo gjatë këtyre kualifikueseve historike.
Strakosha (7.5): “Ishte një prej lojtarëve më të kritikuar te kjo Kombëtare. Kur kishte rivalitetin me Etrit Berishën shfaqte shumë pasiguri aq sa deri vonë, kanë kërkuar Berishën dhe e kanë kritikuar Silvinjon që nuk e ka marrë. Fakti është që në Europianin e Gjermanisë dhe deri tani, paraqitjet e Strakoshës kanë qenë spektakolare. Vetëm 3 gola të pësuar në 7 ndeshje, 2 kundër Anglisë ku shpëtoi shumë të tjera dhe 1 kundër Letonisë në përgjumjen e ekipit, e pamundur të evitohej. Ka bërë mrekulli në dy ndeshjet direkte që i kemi luajtur me Serbinë, dy finalet tona. I mohoi një gol të sigurt fitore Mitrovic në Air Albania dhe ishte po aq fantastik, edhe në ndeshjen e kthimit. Nëse më parë Thomas Strakosha ishte djali i Foto Strakoshës, tani është thjesht Thomas Strakosha dhe kjo është një arritje e madhe përpara se të themi se… Nëse do të kalojmë në Botëror, atëherë po, është ende herët tani”.
Mario Mitaj (8.5): “Gjithmonë flasim për talente, por nëse ka një lojtar që e ka justifikuar këtë fjalë nga dita e parë në ditën e fundit është vetëm Mario Mitaj. Gjithmonë fantastik, i pazëvendësueshëm dhe një kalibër tjetër. E vetmja ndeshje që Shqipëria ka humbur në grup ka qenë pa Mario Mitajn në ekip. Sigurisht, jo se prezenca e Mitajt kundër Anglisë do të përmbyste historinë e ndeshjes, por e sigurt është se do të kishim dalë më shumë në sulm. është i vetmi që mund të prish ekuilibrin dhe repartet e kundërshtarëve duke shmangur nga 3 lojtarë kunërshtarë, me qetësi absolute”.
Berat Gjimshiti (8): “Kapiteni duhet t’i heqim vetëm kapelen. Dikur ishte pengu jonë që nuk e morëm në Europianin e Francës, por kapiteni kthehet me shirit dhe na dërgon në Europianin e Gjermanisë dhe tani, në Play Off të Botërorit. Më mirë nuk mund të kishte, më mirë nuk mund të bëhej. Kur humbëm me Anglinë, menjëherë pas ndeshjes, u mblodh me Silvinjon në mes të fushës dhe thirri menjëherë shokët. Kërkoj t’i mblidhte dhe t’i zgjonte për t’i mos zhgënjyer shqiptarët. Ka ndjesi përgjegjësie të nivelit të lartë, po ashtu edhe si lojtar, i po këtij niveli”.
Arlind Ajeti (7.5): “Arlind Ajeti mbetet një “legjendë” te Shqipëria. Jo nga ato legjenda të fjalës së parë, por nga ato legjenda që shkojnë gojëdhëne pas gojëdhënie dhe herë pas here, janë në kufijtë e së pabesueshmes. Kap nivelet më të larta në ekip, më pas harrohet dhe flitet për të ardhur në Superiore, ku shumëkush e quajti me karrierë të mbyllur dhe tani merr vendin e titullarit te Shqipëria e Botërorit. Në aspektin llogjik, është totalisht e pakuptueshme, por ajo ndeshje Francë-Shqipëri i jep ende vetbesimin e madh Ajetit që mund “të shqyejë” këdo kundërshtar i del përpara. Një mit dhe realitet, herë pas here shfaq pasiguri, veçanërisht në ndeshjet kundër rivalëve më të dobët. Nuk e ka sigurinë maksimale si dikur, por i besohet ende shumë…
Elseid Hysaj (8): “Serbia e zgjoi dhe shndërroi si në kohët e tij më të artë. Problemi me Hysajn ka qenë teprimi, e tepronte në çdo gjë dhe nuk e dinte masën. A iu duket çudi që Hysaj u kthye në nivelin më të lartë te Shqipëria pasi u përjashtua te Lacio? Një profesionist futbolli do ta quante të pamundur, por ndodhi. Hysaj luante më keq te Shqipëria kur luante në Serinë A dhe po shkëlqen te Shqipëria kur u përjashtua nga fusha në Serinë A. Serbia e zgjoi në ndjesinë e përgjegjësisë, kapi thelbin e masës dhe arriti në nivelin që të fitojë dashurinë e të gjithë tifozëve, atyre që më parë kërkonin largimin e tij nga Kombëtarja”.
Kristjan Asllani (8): “Ndihmësi i Rejës, Porrini, u çudit më te sesi nuk është zhvilluar më shumë që pas atij super potenciali që tregoi në fillim, potencial që e bëri ta blinte edhe Interi. Për fat të keq qëndrimi për kohë të gjatë në stol te zikaltërit i humbi nuhatjen me fushën. Kjo është arsyeja që Asllani edhe kur luan mirë, prapë ka diçka të vogël që nuk shkon ashtu siç duhet. Si ndeshja e fundit me Andorrën, goli i tij na dërgon në Play Off, por pritej edhe diçka më shumë. Pasimet e gjata janë pika e tij më e fort dhe goditjet me të dyja këmbët, por nuk e ka shprehur kapacitetin maksimal”.
Julian Shehu (8.5): “Sekreti i suksesit të kësaj Shqipërie quhet vetëm Julian Shehu. Nëse do të ishim pa të në mesfushë, e sigurt është se Shqipëria nuk do të mbërrinte kaq larg. Silvinjo një nuhatës dhe përzgjedhës ideal, e kuptoi fare mirë se mesfusha kishte nevojë për një lojtar që të hynte në duele në ajër dhe me karakteristikat si dikur të Gjasulës. Mori Julian Shehun, një lojtar me një gjakftohtësi të frikshme që nxori dy ndeshje me Serbinë për t’u varur në kornizë. Ndërkohë dy ndeshjet më të dobëta të Shehut janë kundër Andorrës dje dhe Letonisë në transfertë. Sa herë ulet niveli i kundërshtarit, ulet edhe niveli i treguar nga Julian Shehu. Kjo është kritika e vetme, për gjithë pjesën tjetër, pa fjalë…”.
Qazim Laci (7.5): “Ndoshta nuk është mesfushori më i bukur për t’u parë, por është njeriu që jep shpirtin për fanellën. Ka ndeshje që nuk i ka më të mirat e mundshme, si e djeshmja ndaj Andorrës, por nëse mesfusha e Shqipërisë paraqitet mirë kjo vjen për shkak të Laçit. Shehu dhe Asllani kanë të njëjtin hap për presion ndaj kundërshtarit dhe vrapim në fushë, ai që e shton ritmin dhe nxit këmbët për të dhënë më shumë që të mbulohet pjesa e mbetur e fushës është Qazim Laçi. Ka edhe nuhatje shumë të mirë me topin se ku do të shkojë, por nuk ka klasin e fundit të goditjes dhe pasimit përfundimtar”.
Armando Broja (6.5): “E duam shumë dhe ende besojmë se është i vetmi lojtar që mund ta dërgojë imazhin e Shqipërisë atje ku askush nuk ka mundur më parë. Por nëse flasim për kualifikueset që ka zhvilluar, ka qenë padyshim me i dobëti dhe këtu duhet të tregojmë realitetin. E pritëm me Anglinë dhe e dha një shkëndijë të parë, e pritëm me Andorrën në shtëpi dhe asistoi, por nuk ishte i lumtur pasi nuk shënoi gol. E pritëm me Serbinë dhe nuk ishte aty, e pritëm me Letoninë dhe sërish nuk ishte aty, as me Serbinë në transfertë dhe as me Andorrën në transfertë, në ndeshjen historike. Broja dje për herë të parë pa veten në pasqyrë dhe kuptoi sesa poshtë ishte nivelit të lojtarit që është në të vërtetë. Por kjo nuk zgjidhet me të qarë, por duke i dhënë këmbëve dhe të kthehet me punë në nivelin më të lartë. Urojmë që këtë herë Broja të ketë reflektuar me të vërtetë dhe të ketë një inat më të madh me veten e tij sesa me Silvinjon. Urojmë që të jetë inati i një njeriu që e kupton se nuk është në vendin që i takon të jetë si nivel sesa i një njeriu që kërkon vetëm vëmendjen maksimale dhe e merr atë, në një mënyrë apo tjetër, si një fëmijë i përkëdhelur. Pas të qarës, fusha dhe topi janë aty, askush nuk po i heq Brojës asgjë, forca, për momentin është paradoksalisht më i dobëti i Shqipërisë dhe lojtari me potencialin më të madh te Shqipëria”.
Nedim Bajrami (7): “Klasi mbetet i përjetshëm në këmbët e tij, fiziku është në nivelet skandaloze. Bajrami herë pas here të jep përshtypjen e një lojtari që luan në ndeshjen “All Legends”. Për të pasur më të qartë, duket si një Ronaldo fenomeni që luan në një ndeshje kundër Ronaldinhos, por në moshën 50-vjeçare. I ka të gjithë lëvizjet spektakolare aty, por gjunjët nuk i mbajnë për t’i dërguar deri në fund. Duket që në frymëmarrje që mushkërit e tij nuk e përballojnë dot vrullin dhe intesitetin e lartë. Kjo fitohet me stërvitje dhe kjo tregon se Bajrami nuk i ka qejf shumë stërvitjes. Sa i përket klasit, është mes më të mirëve te Shqipëria, pak kanë këmbët e Bajramit, por nuk mjaftojnë…”.
Rei Manaj (7.5): “Ndeshja me Serbinë i jep padyshim notën më të lartë këtij lojtari. Në ndeshjen me Andorrën e teproi duke goditur çdo top që kapte, por për shkak të atij goli në Serbi, i falet çdo gabim, të paktën këtë herë. Në përgjithësi Manaj nuk ka bërë ndeshje të këqija, por ajo që i mungon këtij njeriu është harkimi i fundit i topit sesi të shkojë në rrjetë. Pak më shumë fantazi në gjuajtjen e fundit, Manaj kërkon ta zgjidh vetëm me forcë. Ndeshjen në transfertë kundër Serbisë e zhvilloi fenomenale, ndërsa në Shqipëri, ishte më i dobëti në fushë, përtej golit të shënuar dhe penalltisë së humbur. Me Letoninë në transfertë ishte i vetmi që po i afrohej golit më shumë se të gjithë, sa për ta shtuar”.
Heroi i stolit
Myrto Uzuni (7.5): “Myrto Uzuni mund të quhet padiskutim si heroi i stolit. Nuk ka qenë në formacionin e preferuar të Silvinjos, por u shfaq dhe u tregua protagonist në dy ndeshjet më vendimtare që na dërguan kaq larg, në Play Off të Botërorit. Kundër Serbisë zhvilloi një ndeshje fenomenale në transfertë,, ishte kudo dhe vraponte kudo. Futet nga stoli kundër Andorrës dhe jep asistin në golin e vetëm të Kombëtares, 0-1. Roli i tij i preferuar është si sulmues, por njëherë luan në krahun e majtë dhe të djathtë, luan kudo për sa kohë ka fanellën e Shqipërisë me vete. Nga të paktët lojtarë që ka “sedër” si të jetë tifozë, i nxihet dhe i skuqet fytyra. Meriton falje për të gjithë kritikat dhe dyshimet që kishim për të”.