Notat e Kombëtares/ Kumbulla, çfarë të ndodh te Shqipëria? Armando Brojës i ikën magjia 

Shqipëria ka barazuar në shifrat 1-1 ndaj Letonisë në transfertë. Një barazim që shkakton dhimbje koke për shqiptarët, ndërsa menjëherë pas mbarimit të ndeshjes, Sport Ekspres ka përgatitur vlerësimet e bëra për disa prej futbollistëve të Kombëtares. 

Strakosha (6): “Shumë do të thonë se çfarë bëri më shumë sesa ajo pritje e penalltisë dhe një peshë përgjegjësie e ndarë te goli i pësuar, jo i gjithi i tij. Me të drejtë, mund të bënte edhe aty dicka më shumë. Por nëse Shqipëria u trondit nga goli i barazimit nga Letonia, imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse Letonia do të shënonte golin e para. Me mënyrën sesi shkoi ndeshja, llogjikisht, nëse Strakosha nuk do ta priste atë penallti, Letonia do të fitonte kundër Shqipërisë, Strakosha na shpëtoi nga turpi i vërtetë”. 

Kumbulla (4): “Kumbulla, çfarë të ndodh te Shqipëria? Ne e kemi thënë gjithmonë, Kumbulla mund të kalojë super kohë kudo luan, te Roma apo Espanjol, por kur vjen te Kombëtarja, diçka kërcet për të. Asnjë performacë e nivelit të lartë te Shqipëria dhe gjithmonë në pasiguri të madhe, shkakton penalltinë që do t’i sillte humbjen Shqipërisë. I pavëmendshëm, ishte rasti i tij për të na treguar të gjithëve ne sesa padrejtësi po i bënte Silvinjo, por në fakt dha një tjetër dëshmi që jo më kot qëndron në stol te Kombëtarja. Zhgënjim i madh, golat dhe notat e larta te Espanjoli i shërbejnë karrierës së tij personale, jo shqiptarëve”. 

Ismajli (4.5): “Ka qenë mbrojtësi i vetëm i pagabueshëm te Shqipëria, por kundër Letonisë, ishte ndeshja më e dobët e Ismajlit në gjithë historinë e tij te Shqipëria. Një Ismajli në këtë nivel, nuk e kishim parë kurrë. Nervoziteti i madh, ndoshta edhe për faktin e të qëndruarit në stol për një kohë të gjatë te Shqipëria dhe në mënyrë të pakuptueshme nga vendimet e Silvinjos. Fati e ndihmoi pasi mund t’i jepte një penallti të dytë Letonisë”. 

Balliu (4): “Histori qesharake e ne shqiptarëve, Balliu në moshën 33-vjeçare shihet si zëvendësuesi i Hysajt që është në moshën 31-vjeçare. Më keq nuk mund të bënte dhe më keq nuk mund të kishte, ajo që duhet të lutemi është që Hysaj të luajë gjithmonë si kundër Serbisë, për pjesën tjetër, Balliu është për t’u harruar”. 

Asllani (6.5): “Lojtari i vetëm që mban nivelin në ndeshje. Dy tentativa të bukura nga distanca që për fatin e keq nuk përfundojnë në portë. Një super pasim për Manajn, që nuk dihet sesi Manaj e shpërdoroi dhe nuk e ndaloi dot topin. Një tjetër super pasim për Uzunin në atë goditje dënimi në fund, as Uzuni nuk e shfrytëzoi dot. Krijoi 4 mundësi të arta, praktikisht të gjitha që kishte Shqipëria. Mrekullinë nuk mund ta bëj dot për sa kohë nuk luan te Interi”. 

Armando Broja (4.5): “Trajneri po ia heq helmin e tij për kundërshtarët, po e bën Brojën që të jetë më lehtë i menaxhueshëm për ta. Në fillim menduam se e gjithë Shqipëria do të punonte për Brojën, por në fakt Shqipëria dhe Broja po punojnë për Rei Manajn në qendër të sulmit. Por përtej kësaj pjese, angazhimi i tij duket në nivele të ulëta. E mban topin më shumë se duhet, nuk bën asgjë të jashtëzakonshme edhe përse fizikisht me kundërshtarët, ishte e vetmja dëshmi në fushë se përse Letonia ishte si një ekip amator përpara nesh. Pas këtyre ndeshjeve të fundit, nuk do ngrejë më në këmbë stadiumet vetëm duke u thirrur emri i tij, për ta rifituar atë nder, duhet të jap kontribut real te Shqipëria, asist ose gol, jo vetëm shpërthime herë pas here”.